Partia Demokratike e Kosovës, së bashku me Rininë Demokratike të Kosovës, edhe sot po qëndron para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të shkojë në Kuvend dhe të kontribuojë në zhbllokimin e situatës institucionale.
Nga PDK-ja kanë bërë thirrje që Kurti të mos e mbajë peng funksionimin e institucioneve dhe shtetit për interesa politike e partiake.
“Albin, eja në Kuvend dhe hape rrugën për rikthimin e rendit kushtetues. Mos e mbaj peng shtetin, institucionet dhe interesin e qytetarëve për kalkulimet e tua individuale dhe partiake!”, thuhet në reagimin e PDK-së.
PDK-ja ka përsëritur kërkesën për vazhdimin e procesit institucional dhe respektimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

