Emrat e kandidatëve të cilët do të marrin pjesë në testimin me shkrim për tu bërë pjesë e Policisë së Kosovës, do të publikohen gjatë ditës së nesërme, eventualisht deri të premtën.
Këtë e ka konfirmuar drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në një intervistë për portalin Kallxo.com.
“Konkursi është duke shkuar mirë dhe mund të them lirisht se brenda 10 ditëve do të bëhet testi me shkrim, ndërsa publikimi do të bëhet nesër ose pasnesër në mënyrë që të filloj testimi me shkrim dhe të vazhdoj procesi”, tha Qalaj.
Ai po ashtu shtoi se kanë pasur disa probleme me konkursin pasi që është dashur që të bëhet verifikimi i një numri shumë të madh të dokumentacioneve.
Sipas Qalajt është një fat i mirë për Policinë e Kosovës që në këtë konkurs kanë aplikuar mijëra kandidatë.
“Është fat i madh që në këtë konkurs janë paraqitur me mijëra njerëz, pasi këtë fat nuk e kanë policia tjetër në botë. Kjo është një ndihmë e fortë për Policinë e Kosovës kur paraqitet numër më i madh i kandidatëve”, tha Qalaj.