Pas përfundimit të aventurës evropiane në UEFA Conference League, FC Drita rikthehet në kampionatin e Superligës së Kosovës, ku tashmë i gjithë fokusi i skuadrës gjilanase do të jetë te garat vendore.
Drita sot zhvillon ndeshjen e radhës ndaj Vushtrrisë, në kuadër të xhiros së tretë të kampionatit. Takimi do të zhvillohet në stadiumin me bari sintetik në Hajvali, me fillim nga ora 16:30.
Përballja ndaj Vushtrrisë pritet të mos jetë aspak e lehtë për skuadrën e drejtuar nga Ardian Nuhiu, e cila pas angazhimeve në arenën ndërkombëtare duhet të rikthehet menjëherë te ritmi i kampionatit dhe të kërkojë pikët e plota.
Drita në xhiron e dytë ishte paraparë të përballej me Prishtinën, mirëpo kjo ndeshje u shty nga Komisioni i Garave për shkak të angazhimeve të klubit gjilanas në garat evropiane.
Tashmë, skuadra gjilanase synon të lërë pas aventurën evropiane dhe të përqendrohet maksimalisht në Superligën e Kosovës, me objektivin për të grumbulluar sa më shumë pikë në ndeshjet e ardhshme./Radio Star/

