Pesë kadetë nga Kosova kanë përfunduar me sukses shkollimin në Akademinë Ushtarake të Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë, pas pesë vitesh përgatitje dhe studimi.
Në kuadër të ceremonisë së diplomimit, u takuan dhe u uruan për përfundimin e suksesshëm të studimeve nëntogerët Ramadan Rexha, Gjergj Dreni, Altin Salihaj, Elmë Ramadani dhe Admirim Ismajli.
Shkollimi i tyre ka zgjatur pesë vite, duke përfshirë një vit kurs përgatitor të gjuhës turke dhe katër vite studime ushtarake në akademinë prestigjioze turke.
Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës e konsiderojnë zhvillimin profesional të kuadrove ushtarake një nga prioritetet kryesore në ndërtimin e një force moderne dhe profesionale.
Shkollimi i oficerëve të FSK-së në akademitë e vendeve partnere kontribuon gjithashtu në forcimin e bashkëpunimit dhe ndërveprueshmërisë ndërmjet FSK-së dhe forcave të armatosura të vendeve partnere.
Republika e Kosovës shpreh mirënjohje për Republikën e Turqisë për mbështetjen e vazhdueshme në arsimimin dhe zhvillimin profesional të pjesëtarëve të FSK-së. Pesë oficerët pritet që njohuritë dhe përvojën e fituar t’i vënë në shërbim të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Republikës së Kosovës.









