Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, asamblisti i Kuvendit Komunal të Gjilanit, Fadil Ademi, ka organizuar një aktivitet në disa shkolla të Komunës së Gjilanit, me qëllim të ofrimit të pijeve freskuese për nxënësit.
Aktiviteti është realizuar në bashkëpunim me kompanitë Uji Trepika, Jaffa Plus dhe Uji Dea, të cilat kanë mbështetur nismën me produkte për nxënësit.
Sipas organizatorëve, iniciativa është ndërmarrë me synimin që nxënësve t’u krijohet një moment i këndshëm para fillimit të vitit të ri shkollor dhe t’u përcillet një mesazh urimi për një vit të suksesshëm.
Në kuadër të aktivitetit janë përfshirë disa institucione arsimore në Komunën e Gjilanit.
Me produkte nga Jaffa Plus është përfshirë shkolla në Velekincë, ndërsa me Ujin Trepika shkollat “Thimi Mitko”, “Selami Hallaqi”, “Sadullah Brestovci”, “Agim Ramadani” në Zhegër dhe “Bajram Curri” në Shurdhan.
Ndërkaq, Uji Dea ka mbështetur nxënësit e shkollave “Avdullah Tahiri” në Malishevë dhe “Abaz Ajeti” në Arbëri.
Ademi ka falënderuar kompanitë për mbështetjen e dhënë në realizimin e kësaj nisme, duke vlerësuar bashkëpunimin me bizneset lokale në aktivitete të orientuara drejt komunitetit.
Në përfundim të aktivitetit, organizatorët u kanë uruar nxënësve një fillim të mbarë të vitit të ri shkollor, duke u dëshiruar sukses dhe mbarësi gjatë vitit shkollor.










