Deputeti i PDK-së dhe ish-ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, duke publikuar një foto nga koha kur drejtonte këtë dikaster.
Në pamjet e publikuara, Hoxhaj shihet duke vizituar një shkollë së bashku me kryeministrin e atëhershëm, Hashim Thaçi. Duke rikujtuar periudhën e tij në krye të Ministrisë së Arsimit, ai ka theksuar se atëherë ishte bërë e mundur që çdo nxënës të pajisej me libra falas, pa procedura të ndërlikuara dhe pa ua bartur barrën financiare familjeve.
“Dita e parë e shkollës duhet të jetë ditë gëzimi, dijeje dhe shprese, jo ditë brenge për prindërit se si t’i sigurojnë tekstet shkollore. Kur isha ministër i Arsimit, e bëmë të mundur që çdo nxënës të pajisej me libra falas”, ka shkruar Hoxhaj.
Ai ka kritikuar mënyrën e sigurimit të teksteve shkollore gjatë viteve të fundit, duke thënë se muajt shtator janë shoqëruar me vështirësi, vonesa dhe keqpërdorime gjatë ndarjes së fondeve.
“Arsimi nuk duhet të jetë hapësirë për eksperimente e abuzime, por përgjegjësi e drejtpërdrejtë e shtetit ndaj çdo fëmije”, ka deklaruar ai.
Në urimin e tij për 1 Shtatorin, Hoxhaj ka vlerësuar edhe rolin historik të mësimdhënësve shqiptarë gjatë pushtimit serb, duke theksuar se liria u ruajt edhe në shkollat shqipe, në mendjet dhe zemrat e tyre.
Në fund, ai u ka uruar nxënësve një vit të mbarë, me shumë dije dhe suksese, ndërsa mësimdhënësve shëndet dhe forcë në misionin e tyre.










