Jetët tona fillojnë të mbarojnë ditën kur bëhemi të heshtur për gjërat që kanë rëndësi – Martin Luter King
Shkruan: Ismajl Kurteshi
Ka kohë që në Kosovë shapi po i shitet popullit për sheqer.
Ngecja ekonomike po shitet si zhvillim dinamik, korrupsioni si perceptim, shantazhet e Serbisë si njohje e pavarësisë.
Ndarja në baza etnike u paketua dhe na u shit si decentralizim.
Bllokimi i institucioneve ndodhi përmes shumicës së dyfishtë, në emër të të drejtave të komuniteteve.
Dhjetëra – mijëra hektar tokë ju falën Maqedonisë dhe Malit të Zi në emër të fqinjësisë së mirë.
Serbia po synon autonomi për komunat me shumicë serbe në emër të asociacionit të komunave.
Përmes negociatave për çështje të brendshme të Kosovës. Në emër të normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore, e kemi rrit rrolin e Serbisë në Kosovë.
Tani në emër të korrigjimit të kufijve me Serbinë ekziston rreziku t’i falen asaj mijëra hektar tokë, Ujmanin dhe gjysmën e Trepçës.
Presidenti Thaçi për mjetet e informimit në Kosovë, këto ditë, po deklaron se korrigjim i kufijve të Kosovës nënkupton bashkimin e Preshevës me Kosovën.
Në konferencën për shtyp të organizuar në Albach të Austrisë, me 25 gusht 2018, nëtë cilën morën pjesë Thaçi dhe Vuqiqi, në pyetjen e gazetarit drejtuar Thaçit, citoj: Z. Thaçi a do të jepni territor siç edhe do të merrni? Thaçit ju përgjigj: Atë do ta bëjmë … po këtë e thash…. Thaçit u përgjigj në këtë pyetje derisa Vuqiqi i thoshte “don’t say anything”, pra i thoshte të mos fliste.
Deklarata për mjetet e informimit në Kosovë ndryshon nga ajo që u dha në Austri substacialisht, me qëllim të mashtrimit të opinionit të brendshëm.
Kurse Ambasadori Petriq, deklaroi këto ditë se në Austri u organizua takim i fshehët në mes të Thaçit dhe Vuqiqit.
Shtrohet pyetja pse presidenti Thaçi, deklaratat e tij ia përshtat auditorit pra i ndryshon? Pse ai organizon takime të fshehta me Vuqiqin? Ku e morri Vuqiqi të drejtën t’i thotë Thaçit të mos fliste?
A nuk janë këto sjellje të dyshimta të presidentit?
Ata që verbërisht e përkrahin Thaçit, këto ditë shpesh përveç tjerash po deklarojnë se Mitrovica është e shenjt dhe e paprekshme.
Ata sikur kanë harruar se Mitrovica pas lufte është nda në dy pjesë, se nga Mitrovica pas lufte janë dëbuar me forcë rreth 12.000 shqiptar, se shqiptarëve të dëbuar nuk po ju lejohet kthimi dhe ndërtimi i shtëpive të veta, në trojet e tyre, derisa komunat në veri, duke e përfshi edhe Mitrovicën, po mbushen me kolon serb.
Mitrovica edhe sot po administrohet nga strukturat e legalizuara të Serbisë në Bruksel, që paguhen nga buxheti i Kosovës.
Projekti serb,për të cilin Thaçi po flet si për të vetin,është projekt shumë i dëmshëm për Kosovën prandaj Kuvendi,duhet t’i pamundësohet aventura në të cilën ai ka hy.
Nëse kjo nuk mjafton, nuk mbetet alternativ tjetër përveç protestës masive e të qetë, gjithë popullore që do ta detyron Thaçin t’i bindet vullnetit të qytetarëve.
Me këtë rast nuk mund të mos e përmendi thënien e Martin Luter Kingut, në një rast ai pati thënë: Jetët tona fillojnë të mbarojnë ditën kur bëhemi të heshtur për gjërat që kanë rëndësi.
Integriteti territorial i Republikës së Kosovës është çështje shumë e rëndësishme jo vetëm për ne por edhe për shumë gjenerata që do të vijnë pas nesh.
Prandaj ju takon institucioneve të vendit që përfaqësojnë interesat e popullit bashkë me qytetarët e Kosovës të vihen në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.