Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, së bashku me Kryesuesen e Kuvendit Komunal, Arbnore Beqiraj-Fera, dhe Drejtorin Zotrim Kastrati, po vazhdojnë vizitën zyrtare në Turqi, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, shkëmbimit të përvojave dhe avancimit të marrëdhënieve ndërmjet dy komunave.
Gjatë kësaj vizite, Kryetari Rahimaj së bashku me stafin e tij zhvilloi një takim me Kryetarin e Komunës së Mustafakemalpaşa, z. Şükrü Erdem, ku u diskutua për mundësitë e zgjerimit dhe konkretizimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, me fokus të veçantë në sektorin e arsimit.
Në kuadër të vizitës, Kryetari Rahimaj u prit edhe nga Guvernatori i Mustafakemalpaşa, z. Mehmet Okur ku gjatë takimit u diskutua për praktikat dhe modelet e aplikuara në sistemin arsimor, me theks të veçantë në arsimin gjithëditor dhe aftësimin profesional. Gjatë bisedës, shkëmbimi i përvojave në këto fusha u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit dhe krijimin e praktikave të reja që mund të zbatohen në të dyja komunat.
Kryetari Rahimaj po ashtu vizitoi edhe dy shkolla dhe punëtori të aftësimit profesional, me të cilat tashmë ekziston bashkëpunim ndërmjet dy komunave. Gjatë këtyre vizitave, përfaqësuesit e Komunës së Kamenicës u njohën nga afër me mënyrën e organizimit të mësimit, modelet e arsimit gjithëditor, si dhe me praktikat e aftësimit profesional dhe përgatitjes së të rinjve për tregun e punës.
Programi i vizitës zyrtare u përmbyll me vizitën në Qendrën Kulturore dhe Kompleksin Sportiv të Mustafakemalpaşa, ku gjatë gjithë vitit zhvillohen aktivitete në 18 disiplina sportive. Kjo vizitë shërbeu edhe si mundësi për shkëmbimin e përvojave në fushën e kulturës, sportit dhe aktiviteteve për të rinjtë.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka shprehur mirënjohjen e tij për mikpritjen dhe bashkëpunimin e treguar gjatë kësaj vizite, duke falënderuar në veçanti z. Albert Selishta dhe z. Rexhep Krivaqa për kontributin, bashkëpunimin dhe koordinimin e takimeve dhe aktiviteteve të zhvilluara gjatë vizitës zyrtare.
Komuna e Kamenicës mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, me synim shkëmbimin e praktikave të mira dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillimin e arsimit, aftësimit profesional, kulturës dhe sportit.










