Kryesuesi i seancës konstituive ka njoftuar se vazhdimi i seancës konstituive do të mbahet më 9 shtator, në orën 11:00.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai ka thënë se e sheh si lajm të mirë arritjen e marrëveshjes ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Megjithatë, ai ka theksuar se ende nuk ka qartësi të plotë nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për konstituimin e të gjitha institucioneve.
“Si Kryesues i Seancës Konstitutive e kam parë si një lajm të mirë arritjen e marrëveshjes ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Edhe pse ende nuk ka qartësi të plotë nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për konstituimin e të gjitha institucioneve, kam vendosur që vazhdimin e Seancës Konstitutive ta thërras më 9 shtator, në orën 11:00”, ka shkruar ai.
Kryesuesi ka thënë se deri në atë datë pret që marrëveshja politike të shoqërohet me përgjegjësi konkrete dhe gatishmëri të deputetëve për t’i përmbushur detyrimet e tyre kushtetuese.
“Deri atëherë pres që kjo marrëveshje të shoqërohet me përgjegjësi konkrete dhe me gatishmëri të deputetëve për t’i përmbushur detyrimet e tyre kushtetuese”, ka deklaruar ai.
Në fund, ai ka bërë thirrje që procesi i konstituimit të institucioneve të mos zvarritet më tej, duke paralajmëruar se vendi nuk ka nevojë për një krizë të re apo për zgjedhje të tjera.
“Kosova nuk ka nevojë për një tjetër zvarritje, as për një tjetër krizë dhe aq më pak për një proces të ri zgjedhor”, ka shkruar Kryesuesi i Seancës Konstituive.










