Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka vizituar kompleksin e klubit dhe shkollës së futbollit “Zafer Spor” në Bursë, ku është takuar me Shaban Sadriun, me origjinë nga Lajçiqi i Kamenicës.
Sadriu është pjesë e një familjeje shqiptare që u shpërngul drejt Bursës në vitin 1971. Sot, ai drejton Klubin dhe Shkollën e Futbollit “Zafer Spor”, ku edukohen dhe stërviten mbi 250 fëmijë e të rinj, shumica prej tyre me origjinë shqiptare.
Përtej aktiviteteve sportive, “Zafer Spor” është shndërruar në një hapësirë të rëndësishme për komunitetin shqiptar dhe atë ballkanik në Bursë. Prania e flamujve dhe simbolikës shqiptare në kompleks dëshmon për përkushtimin në ruajtjen e gjuhës, traditës dhe lidhjes me vendlindjen e të parëve.
Gjatë vizitës, Rahimaj vlerësoi punën e Sadriut dhe kontributin e tij në edukimin e brezave të rinj dhe në ruajtjen e identitetit shqiptar në mërgatë.
Historia e Shaban Sadriut dëshmon se sporti mund të jetë më shumë se garë – mund të jetë një urë që lidh brezat me rrënjët, kulturën dhe identitetin e tyre.









