Rasti i sulmit ndaj kapitenit të Policisë së Kosovës, Besart Ahmeti, pas një përplasjeje që nisi për parking te Prishtina Mall, ka marrë një tjetër drejtim.
Përveç hetimeve ndaj dy personave të dyshuar për sulmin, tashmë është hapur rast edhe ndaj një pjesëtari të Njësisë për Reagim të Shpejtë (NJRSh), merr vesh Sinjali.
Bëhet e ditur se dyshimet e reja kanë lindur pasi palët e përfshira në incident ishin shoqëruar nga Policia për procedura të mëtejshme.
Sipas informacioneve raportohet se njëri nga personat e shoqëruar, i cili dyshohet për sulmin ndaj kapitenit Ahmeti, pretendon se është keqtrajtuar nga një pjesëtar i NJRSh-së.
Dyshimet lidhen me përdorimin e dhunës ndaj tij pas shoqërimit, ndërsa mësohet se për të dëmtuarin ekziston edhe raport mjekësor, i cili tashmë pritet të jetë pjesë e trajtimit të rastit.
Këto pretendime kanë bërë që hetimet të mos kufizohen më vetëm te incidenti fillestar.
Mësohet se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar hapjen e rastit ndaj pjesëtarit të NJRSh-së, nën dyshimin për veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
Në kuadër të hetimeve është kërkuar që të intervistohen edhe dëshmitarët e tjerë që kanë njohuri për ngjarjen, me qëllim të sqarimit të mënyrës se si është trajtuar i shoqëruari dhe rrethanave në të cilat dyshohet se është përdorur dhuna.
Në trajtimin e gjithë rastit tashmë është përfshirë edhe Inspektorati Policor i Kosovës, për shkak të përfshirjes së zyrtarëve policorë dhe dyshimeve të ngritura ndaj pjesëtarit të NJRSh-së.
Incidenti fillestar kishte ndodhur te Prishtina Mall, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me parkingun, ku dy persona dyshohet se kishin sulmuar kapitenin Besart Ahmeti.
Pas incidentit, palët ishin shoqëruar në Polici, ndërsa në menaxhimin e situatës ishin përfshirë zyrtarë policorë nga Graçanica dhe pjesëtarë të NJRSh-së.
Hetimi tashmë po zhvillohet në dy drejtime të ndara, për sulmin e dyshuar ndaj kapitenit Ahmeti dhe për pretendimet se gjatë ndërhyrjes policore njëri prej të shoqëruarve është keqtrajtuar nga pjesëtari i NJRSh-së.










