Oda Ekonomike e Kosovës ka reaguar në lidhje me rezultatet e PISA 2025, ku performanca e nxënësve nga Kosova në shkencë, lexim dhe matematikë mbetet nën mesataren e vendeve të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).
Për OEK-un, kjo nuk është vetëm çështje e arsimit, por edhe e cilësisë së fuqisë punëtore, produktivitetin, konkurrueshmërinë dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
“Këto rezultate duhet të jenë thirrje për veprim konkret dhe bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet institucioneve arsimore, Qeverisë dhe sektorit privat. OEK tashmë ka kontribuar në zhvillimin e arsimit dual dhe është e gatshme të mobilizojë bizneset për më shumë praktikë profesionale, mentorim dhe mësim në vendin e punës. Arsimi duhet të jetë prioritet kombëtar. Investimi në arsim është investim në fuqinë punëtore, ekonominë dhe të ardhmen e Kosovës”, thuhet në reagimin e OEK.









