Pas një çerek shekulli përkushtimi ndaj arsimit, është pensionuar mësimdhënësi i Shkollës Ekonomike në Gjilan, Jakup Neziri.
Përmes një mesazhi plot emocione e mirënjohje para kolegëve e familjarëve, ai ka përmbledhur rrugëtimin e tij jetësor, nga fëmijëria në fshatin Cërnicë e deri te përmbyllja e këtij kapitulli të rëndësishëm në arsim.
Pasi u diplomua në Fakultetin Ekonomik në Novi-Sad në vitin 1987, Neziri u largua dhunshëm nga puna në ndërmarrjen “EX:IMKOS” prej masave serbe të vitit 1989. Për një dekadë me radhë (1990–2000) ai punoi si zdrukthëtar për të siguruar ekzistencën, ndërsa gjatë luftës dha kontributin e tij të drejtpërdrejtë për lirinë e vendit.
Në vitin 2001 ai nisi punën si mësimdhënës në Shkollën Ekonomike, fillimisht në paralelet e ndara në Pogragjë. Përgjatë 25 viteve përvojë, ai ka udhëhequr 5 gjenerata nxënësish, duke e quajtur arritjen më të madhe suksesin e tyre sot në banka, arsim, Polici e FSK.
Me përmbylljen e misionit në shkollë, Neziri njoftoi se angazhimin e tij do ta vazhdojë në librarinë e tij në Gjilan, ku mbetet i hapur për të pritur kolegët, miqtë e ish-nxënësit.










