Kandidati konsensual i Lëveizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demorkatike të Kosovës, Bekim Sejdiu, është tërhequr nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës.
Sejdiu ka njoftuar se vendimin për tërheqje e ka marrë për shkak të mungesës së mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen e tij dhe devijimit të procesit në përplasje të brendshme politike.
Ai ka bërë të ditur se ishte propozuar si kandidat jopartiak për President nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, pas një procesi të përbashkët negociatash.
“Kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sejdiu.
Sipas tij, motivi kryesor për pranimin e kandidaturës kishte qenë përpjekja për të kontribuar në zhbllokimin e ngërçit institucional.
Sejdiu ka thënë se shpreson që partitë politike të gjejnë një rrugëdalje nga kriza dhe të shmangin thellimin e polarizimit politik.
“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj nuk kanë nevojë për drama politike dhe thellim të polarizimit, por për maturi dhe bashkim në funksion të forcimit të shtetit tonë”, ka deklaruar ai.
Ai ka bërë të ditur se për vendimin e tij i ka njoftuar paraprakisht përfaqësuesit e LDK-së dhe LVV-së.
Bekim Sejdiu ishte propozuar për kandidat për president pas një marrëveshjeje ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demorkatike. POr kundër kandidaturës së Sejdiut kishin dalë gjashtë deputetë të LDK-së.










