Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se lejimi e më pas ndalimi i Vuçiqit në Drenicë, është disfatë poshtëruese për shtetin e Kosovës, pasi sipas tij, ai nuk është dashur të lejohet asnjëherë.
“Ja, thanë, s’mund të vijë kurrë në Drenicë; le të kthehet në Mitrovicë. Dhe na jepen si triumfalistë”, ka shkruar ndër tjera Abdixhiku, përcjell “Bota sot”.
Postimi i plotë:
E kthyen Vuçiqin mbrapshtë – në Mitrovicë.
Ndalojnë vizitë, e lejojnë atë. E ndalojnë sërish – por tashmë veçse pjesërisht. Presidenti i një vendi armik pasi ka caktuar kufinj të rinj; pasi ka folur për resurset e Kosovës sikur ishin të tij; është ndaluar – në i thënshin ashtu – e është kthyer jo në Serbi por në Veri.
Ndalesa tregon se ku përfundon fuqia e Kosovës; ku nisë ajo e shtetit të tij. Me ose pa dije – më shumë me të dyja bashkë – liderët kosovarë caktuan kufirin e ri politik. Ja, thanë, s’mund të vijë kurrë në Drenicë; le të kthehet në Mitrovicë. Dhe na jepen si triumfalistë.
Çfarë disfate poshtruese para vetes e botës; para shtetit të vet. Vizita – në gjithë Kosovën – nuk është dashur të lejojet në rend të parë asnjëherë.