Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit ka mirëpritur sot Ambasadoren e Shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës, Tamar Ziv, në një vizitë e cila u fokusua në mundësitë për përmirësimin e kushteve dhe mirëqenies së fëmijëve të hospitalizuar.
Gjatë vizitës, drejtor i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Dr. Afrim Cana, i uroi mirëseardhje ambasadores Ziv dhe e falënderoi për vizitën, interesimin dhe gatishmërinë për të mbështetur iniciativa në të mirë të pacientëve.
Një nga çështjet kryesore të diskutimit ishte mundësia e krijimit të një salle të dedikuar lojërash për fëmijët e shtruar në spital. Kjo hapësirë synon t’u ofrojë fëmijëve një ambient më të ngrohtë, miqësor dhe të përshtatshëm gjatë periudhës së trajtimit dhe qëndrimit të tyre në spital.
Nga Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit është vlerësuar lart interesi i Ambasadores Ziv dhe gatishmëria për të mbështetur iniciativa që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e fëmijëve dhe në përmirësimin e përvojës së tyre gjatë trajtimit spitalor.
Vizita u cilësua si një mundësi e rëndësishme për të diskutuar bashkëpunime dhe iniciativa konkrete në funksion të krijimit të kushteve sa më të përshtatshme për pacientët më të vegjël të Spitalit të Gjilanit./Radio Star/










