Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka bërë të ditur se edhe në shkollat e Gjilanit, ora e parë e mësimit sot, më 16 shtator, do t’i kushtohet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), historisë së luftës për çlirimin e Kosovës dhe kontributit të çlirimtarëve.
Sipas njoftimit, gjatë orës së parë nxënësit do të trajtojnë, në mënyrë të përshtatshme për moshën e tyre, tema që lidhen me luftën e UÇK-së, sakrificën e qytetarëve për lirinë e Kosovës, si dhe procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Kjo nismë synon që nxënësit të njihen me historinë e afërt të vendit dhe të reflektojnë mbi rëndësinë e lirisë, paqes dhe kujtesës historike.










