Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pritet të mësojë të mërkurën fatin e tij gjyqësor, pasi gjyqtarët ndërkombëtarë në Hagë do të shpallin aktgjykimin në procesin gjyqësor për krime lufte.
Thaçi akuzohet për disa vepra penale që përfshijnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, mes tyre vrasje, torturë dhe persekutim. Në të njëjtin proces gjykohen edhe tre ish-udhëheqës të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët akuzohen për vepra të kryera gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Të katër të akuzuarit i kanë mohuar akuzat ndaj tyre.
Siç raporton Associated Press, mijëra persona u mblodhën gjatë fundjavës në Prishtinë në shenjë mbështetjeje për katër ish-krerët e UÇK-së. Protestuesit mbushën një shesh qendror të kryeqytetit, ndërsa shumë prej tyre mbanin flamuj shqiptarë kuq e zi.
Nëpër Prishtinë janë vendosur gjithashtu portretet e katër të akuzuarve, ndërsa një orë e madhe digjitale ka numëruar mbrapsht deri në ditën e shpalljes së aktgjykimit.
“Në emër të popullit, shpallini të pafajshëm”, thuhej në njërën prej pankartave.
Prokurorët në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë kërkuar dënim maksimal prej 45 vjetësh burgim për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin.
Në përfundim të procesit gjyqësor, i cili zgjati gati tre vjet, Thaçi u tha gjyqtarëve në shkurt se gjatë gjithë jetës së tij kishte qëndruar përkrah popullit të Kosovës duke mbrojtur, sipas tij, lirinë, jetën dhe dinjitetin.
“Gjithmonë jam udhëhequr nga idealet perëndimore të demokracisë, barazisë dhe drejtësisë”, tha Thaçi.










