Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), më 16 nëntor 2026, ka refuzuar importin dhe ka kthyer në kufi 27,000 kilogramë misër merkantil, me origjinë nga Serbia, të importuar nga kompania IDEAL GROUP SH.P.K. nga Peja.
AUV bën të ditur se produkti është misër merkantil në kokrra, i cili tregtohet si lëndë e parë dhe mund të përdoret për ushqimin e kafshëve ose për përpunim të mëtejshëm, varësisht nga destinimi i tij.
“Ngarkesa ishte eksportuar nga kompania AGRO DOM TIM DOO, Crvenka, Serbi, sipas faturës nr. 3404/2026, të datës 10 nëntor 2026, dhe ishte paraqitur për import në pikën kufitare të Merdarit.Gjatë kontrollit kufitar, AUV ka marrë mostra të misrit për analiza laboratorike. Rezultatet kanë treguar praninë e aflatoksinës B1 në nivel prej 0.029 mg/kg (29 µg/kg), apo 45% mbi kufirin e lejuar prej 0.020 mg/kg (20 µg/kg).”, thuhet në njoftimin e AUV-it.
“Aflatoksina B1 është një substancë toksike që prodhohet nga disa lloje myqesh dhe mund të gjendet në misër dhe drithëra të tjera. Nëse misri i kontaminuar përdoret për ushqimin e kafshëve qumështore, aflatoksina mund të kalojë në qumësht në formën e aflatoksinës M1, duke paraqitur rrezik për shëndetin e konsumatorëve.”, thuhet tutje.
Në zbatim të Ligjit Nr. 08/L-120 për Ushqim dhe Rregullores (QRK) Nr. 43/2013, inspektori fitosanitar kufitar ka refuzuar importin dhe ka kthyer të gjithë ngarkesën prej 27 tonësh në kufi, pa lejuar hyrjen e saj në tregun e Kosovës.
“AUV do të vazhdojë kontrollet kufitare dhe analizat laboratorike për të parandaluar hyrjen e produkteve që nuk përmbushin standardet e sigurisë ushqimore dhe mund të rrezikojnë shëndetin e qytetarëve.”, thuhet në njoftim./Arbresh.info










