Pas 27 vitesh pritjeje, tri familje të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë kanë marrë sot përgjigjen për fatin e më të dashurve të tyre.
Analizat e ADN-së kanë konfirmuar identitetin e tri viktimave, mbetjet mortore të të cilave janë zhvarrosur në varrezat masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.
Viktimat i përkasin grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, kryesisht qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të cilët u rrëmbyen dhe u zhdukën me dhunë më 19 prill 1999.
Lajmi për identifikimin e tyre është bërë i ditur pasi janë pranuar raportet e para të ADN-së nga mostrat e mbetjeve mortore të zhvarrosura në këto lokacione.
Në lidhje me këtë zhvillim ka reaguar edhe ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu. Ajo ka shprehur solidaritet me familjet që pas dekadash pritjeje kanë mësuar fatin e familjarëve të tyre.
“Për 27 vjet, këto familje jetuan pa ditur ku ishin më të dashurit e tyre. Sot ato e dinë. Dhimbja mbetet, por kjo pritje e gjatë mbaroi”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka thënë se qëndrimi i institucioneve duhet të jetë pranë familjeve të viktimave, por edhe atyre që ende presin përgjigje për fatin e familjarëve të zhdukur.
“Jam pranë tyre në këtë ditë. Bashkëndjej edhe me familjet e tjera që presin rezultatet e gërmimeve në javët në vijim”, është shprehur Haxhiu.
Gërmimet në Kalludër dhe Jabukë kanë nxjerrë në pah mbetje mortore që dyshohet se u përkasin personave të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Sipas të dhënave të prezantuara nga institucionet, në tri lokacione në Zubin Potok janë zhvarrosur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin së paku 23 personave.
Ndërkohë, procesi i identifikimit përmes analizave të ADN-së pritet të vazhdojë edhe në ditët dhe javët e ardhshme.
Haxhiu ka deklaruar se kërkimi do të vazhdojë deri në zbardhjen e fatit të të gjithë personave të zhdukur.
“Kërkimi ynë nuk do të ndalet derisa të gjendet edhe personi i fundit i zhdukur me dhunë dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë”, ka theksuar ajo.










