Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” (Our Lady of Shkodra), në Hartsdale të New York-ut, ku mori pjesë në meshën e së dielës.
Sipas njoftimit, mesha u kremtua nga Eminenca e Tij, Kardinali shqiptar Ernest Simoni Troshani, së bashku me Dom Pjetër Popajn, në praninë e besimtarëve dhe pjesëtarëve të komunitetit shqiptaro-amerikan.
Në fjalën pas meshës, kryeministri Kurti theksoi se në moshën 97-vjeçare, vetëm pak javë para ditëlindjes së tij të 98-të, Kardinali Ernest Simoni vazhdon të përcjellë me të njëjtën forcë porosinë e besimit, shpresës dhe dashurisë për njeriun. Ndërsa shtoi se mesha ishte prekëse, me një porosi për mirësinë, mirëkuptimin dhe respektin ndaj njëri-tjetrit.
“Është kënaqësi dhe nder i veçantë që ndodhem sot bashkë me juve dhe më lejoni që fillimisht ta përshëndes Eminencën e Tij, Kardinalin Ernest Simoni Troshani, i cili me jetën e tij që është vepër na frymëzon që të gjithë neve edhe si qytetarë republike, edhe shqiptarë ngado që jemi, por edhe si zyrtar shteti”, citohet kryeministri Kurti në komunikatë.
Famullia “Zoja e Shkodrës”, e themeluar në vitin 1989, është ndër institucionet e rëndësishme fetare dhe kombëtare të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kisha në Hartsdale u shugurua në vitin 1999 dhe ndër vite është bërë një vatër e rëndësishme e jetës fetare, kulturore dhe shoqërore të shqiptarëve në New York.
Përveç misionit të saj fetar, ajo vazhdon të kontribuojë në ruajtjen e gjuhës shqipe, kulturës, traditave dhe identitetit kombëtar te brezat e rinj të diasporës.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për punën dhe përkushtimin e Dom Pjetër Popajt, Kardinal Ernest Simonit dhe të gjithë pjesëtarëve të komunitetit të Kishës “Zoja e Shkodrës”, si dhe për kontributin shumëvjeçar të komunitetit shqiptaro-amerikan në ruajtjen e lidhjeve me atdheun dhe në mbështetjen e Kosovës.










