Arton Hoxha, Mr. Urbanist | MSc në Arkeologji
Veteran i UÇK-së, Brigada 138 “Agim Ramadani” – Koshare
ATA QË NUK U KTHYEN, NA LANË AMANET TË MOS LEJOJMË QË E VËRTETA TË HESHTË
Patriotizmi nuk matet me flamujt që mban në duar, por me guximin për të folur kur fjala jote është më e nevojshme se kurrë.
Ka disa që patriotizmin e kanë bërë profesion.
Në çdo ceremoni janë të parët me flamuj në duar, me fjalë të mëdha në gojë, me zjarr në tribuna dhe me Kosovën në çdo fjali. Organizojnë, brohorasin, fotografohen dhe na tregojnë çdo ditë se sa shumë e duan këtë vend.
Por çuditërisht, kur vjen momenti të flitet për çlirimtarët, kur është koha të ngrihet zëri dhe të qëndrohet përballë një padrejtësie, shumë prej tyre heshtin.
Ku mbeti gjithë ai patriotizëm?
Ku mbeti gjithë ai guxim?
Apo trimëria paska qenë vetëm aty ku kishte mikrofon, kamera dhe duartrokitje?
Sepse patriotizmi që jeton vetëm në ceremoni është i lehtë.
Ndoshta për disa është vonë. Por nuk është tepër vonë për të folur.
Unë nuk e kam luksin ta harroj se çfarë do të thotë lufta, pasi kur u rreshtova në Koshare, isha i ri.
Atje pamë shokë të vrarë. Pamë shokë pa gjymtyrë. Pamë gjëra që një njeri nuk do të duhej t’i shihte kurrë.
Lufta ishte ndryshe nga çdo natë tjetër që ishim mësuar të jetonim në Tiranë si studentë.
Në mëngjes hanim krisma, ndërsa në darkë ndanim dhimbjen.
Dhe gjithmonë, pas çdo vdekjeje, mbetej një pyetje që na digjte brenda.
Ata nuk ishin thjesht shokë lufte. Ishin një copë e asaj rinie që nuk do të kthehet më.
Dhe e ndjej ende sot.
Nuk është vetëm kujtim. Është një dhimbje që jeton brenda meje.
Ka ditë kur kujtimet zgjohen më herët se unë.
Thonë se koha i shëron të gjitha.
Ndoshta.
Por ka plagë që nuk shërohen. Vetëm mëson të jetosh me to, por dhemb sa herë që kujtimi e prek.
Dhe unë e prek shpesh.
Pa dashje.
Këto pamje nuk i fshin koha.
Por prapë qëndruam.
Jo sepse nuk kishim frikë.
Kishim frikë.
Por kishim edhe një arsye më të madhe se frika.
Sot kanë kaluar vite. Jam më i qetë, ndoshta më i lodhur nga shumë gjëra, por një gjë nuk ka ndryshuar! Ajo që besuam atëherë, ende na kujton se nuk duhet të heshtim sot.
Ndërsa sot nuk duhet të kemi frikë të flasim për vendin. Përkundrazi, sot duhet të kemi edhe më shumë forcë të flasim dhe të qëndroj pas asaj që kemi bërë. Nuk kemi pse të kemi frikë nga e kaluara jonë. Ajo është pjesë e historisë sonë dhe e asaj që i besuam.
Sepse vendit tënd i detyrohesh më shumë se fjalë. I detyrohesh më shumë se vetë jeta.
MOS HESHTNI PIKËRISHT TANI.
Nëse keni folur për çlirimtarët në ditët kur ishte e lehtë të flitej, flisni edhe tani.
Nëse keni ngritur flamuj në ditët e festës, mos e ulni zërin në ditët e vështira.
Sepse është shumë e lehtë të jesh patriot kur të gjithë duartrokasin.
Patriotizmi shihet kur je vetëm.
Fjalët harrohen. Ceremonitë mbarojnë. Flamujt palosen.
Por qëndrimi i yt në ditët e vështira mbetet.
Dhe koha i dallon të gjithë.
KOSOVA NUK KA NEVOJË PËR PATRIOTË VETËM KUR KA DUARTROKITJE.
KA NEVOJË PËR ZËRA ATËHERË KUR DUHET TË FLITET.
Mos heshtni. Mos ju vijë turp të tregoni. Mos e mbani më brenda atë që keni parë dhe përjetuar.
Tani është koha.
Koha që gjeneratat e reja ta dëgjojnë historinë nga ata që e jetuan. Të dinë se liria nuk erdhi vetvetiu. Nuk na u dhurua. U pagua me sakrificë, me gjak, me plagë, me lot dhe me jetë.
T’u tregojmë fëmijëve tanë kush ishte UÇK-ja, pse u rreshtuan ata djem e vajza dhe çfarë çmimi u pagua për lirinë që ne e gëzojmë sot.
Mos e lini historinë tuaj të vdesë bashkë me ju.
Tregojeni. Shkruajeni. Flisni.
Sepse nëse heshtim ne që e kemi jetuar, një ditë të tjerët do ta tregojnë historinë tonë pa zërin tonë.
Dhe kjo është pikërisht arsyeja pse po shkruaj, jo për të kërkuar lavdi për vete, por që të mos harrohet çmimi i lirisë.
Që gjeneratat që vijnë ta dinë se kjo Kosovë nuk u gjet e lirë.
Dikush luftoi.
Dikush sakrifikoi.
Dikush u plagos.
Dikush nuk u kthye kurrë.
TANI ËSHTË KOHA TË FLASIM.
PËR SHOKËT QË NUK U KTHYEN.
PËR SAKRIFICËN QË NUK DUHET HARRUAR.
PËR UÇK-në.
PËR LIRINË.
PËR GJENERATAT QË DUHET TA DINË TË VËRTETËN.










