FC Drita ka nisur një tjetër fazë të rëndësishme në ndërtimin e kampit të saj të ri, me vendosjen e ulëseve në tribunën e stadiumit ndihmës, i cili po merr formë çdo ditë e më shumë.
Punimet për vendosjen e karrigeve tashmë kanë filluar nga kompania Eco Holding, ndërsa tribuna e re pritet të ketë kapacitet deri në 1,500 spektatorë. Paralelisht, po vazhdojnë përgatitjet edhe për fushën e lojës, e cila do të pajiset me bar natyral.
Ky investim përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në zhvillimin e infrastrukturës së klubit gjilanas, duke krijuar kushte moderne për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe për zhvillimin e ndeshjeve në kompleksin e klubit.
Me këtë projekt, FC Drita po synon që kampi i ri të jetë një ambient funksional dhe modern, i cili do t’i shërbejë klubit dhe skuadrave të tij në vazhdimësi.
Përparimi i punimeve vjen në një periudhë të rëndësishme për klubin, i cili krahas rezultateve sportive dhe paraqitjeve në garat evropiane, po investon edhe në krijimin e një infrastrukture më të avancuar.
Nëse ritmi aktual i punimeve vazhdon sipas planit, stadiumi ndihmës pritet të jetë një tjetër hapësirë e rëndësishme për FC Dritën, me mundësi që ndeshjet të zhvillohen në ambientet e kampit të klubit gjatë edicionit pranveror./Radio Star/










