Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka pritur në takim nxënësin Beson Rrahmani, i cili ka arritur sukses të jashtëzakonshëm në një garë ndërkombëtare të matematikës.
Rrahmani është renditur i treti në botë në Garën Ndërkombëtare të Matematikës së Aplikuar “AMC Competition”, në kategorinë “Junior Primary”, ku morën pjesë më shumë se 1,000 garues nga vende të ndryshme të botës. Për këtë rezultat, ai është vlerësuar edhe me titullin Kampion i Artë.
Hyseni ka vlerësuar talentin, përkushtimin dhe rezultatet e nxënësit, duke theksuar se suksesi i tij përbën krenari për Gjilanin dhe Kosovën.
Në këtë rrugëtim, kryetari ka shprehur mirënjohje edhe për familjen e Besonit, mësuesen Adriana Shala dhe shkollën “Musa Zajmi”, për mbështetjen dhe përkushtimin e tyre.
Komuna e Gjilanit ka theksuar se do të vazhdojë të mbështesë talentet e rinj dhe të investojë në zhvillimin e tyre në fushën e dijes dhe shkencës.










