Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka përkujtuar rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në trevjetorin e vrasjes së tij në sulmin terrorist në Banjskë.
Përmes një postimi, Sveçla ka deklaruar se Kosova, para tre vitesh, u përball me, siç e cilëson ai, “sulmin terrorist më të madh në Kosovën e pasluftës”, për të cilin thotë se ishte organizuar dhe mbështetur nga aparati shtetëror i Serbisë.
“Tre vite më parë, Republika jonë u përball me sulmin terrorist më të madh në Kosovën e pasluftës, të organizuar dhe të mbështetur në të gjitha aspektet nga aparati shtetëror i Serbisë. Në mbrojtje të ligjshmërisë, kushtetutshmërisë dhe sigurisë së qytetarëve tanë, atë ditë ra në krye të detyrës Rreshteri Afrim Bunjaku”, ka shkruar ai.
Sveçla ka vlerësuar edhe veprimet e Policisë së Kosovës gjatë përballjes me grupin e armatosur, duke thënë se institucionet e Kosovës mbrojtën territorin, qytetarët dhe rendin kushtetues.
Ndërkohë, sipas tij, drejtësia për vrasjen e Afrim Bunjakut nuk është përmbyllur ende.
“Drejtësia për vrasjen e Heroit Afrim Bunjaku mbetet e paplotë deri në arrestimin dhe përballjen me drejtësinë të të gjithë terroristëve, në krye të të cilëve qëndron Milan Radoiçiq”, ka shkruar Sveçla.
Ministri ka theksuar se Afrim Bunjaku do të kujtohet dhe nderohet gjithmonë për sakrificën e tij.
“Përulemi me respekt të thellë para sakrificës së tij, e cila do të mbetet përgjithmonë pjesë e kujtesës sonë kolektive dhe udhërrëfyes për brezat e rinj të Republikës sonë”, ka shkruar Sveçla.










