Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar sot heroin e Kosovës, rreshterin Afrim Bunjaku, në trevjetorin e rënies së tij në Banjskë.
Haradinaj ka thënë se emri i Bunjakut iu shtua listës së dëshmorëve të Kosovës, duke vlerësuar se ai ra në krye të detyrës, duke mbrojtur Kosovën e lirë dhe të pavarur nga agresioni dhe grupet kriminale serbe.
Sipas Haradinajt, rënia e Afrim Bunjakut në Banjskë dëshmoi se sulmet dhe synimet agresive ndaj Kosovës nuk përfunduan pas vitit 1999.
“Është një ironi e dhimbshme e historisë kur agresorët që na sulmojnë tash e sa dekada mbeten të lirë e Kosova ende përjeton sulme prej tyre, ndërsa çlirimtarët tanë, ata që e mbrojtën këtë tokë në ditët më të vështira, sot gjykohen padrejtësisht në Hagë”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka kritikuar çdo përpjekje për rishkrimin e historisë së Kosovës dhe barazimin e viktimës me agresorin.
Haradinaj ka përmendur edhe familjet e të zhdukurve, viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës dhe dëshmorët e martirët e Kosovës si dëshmi të çmimit të lirisë.
“Lavdi e përjetshme Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku! Lavdi të gjithë dëshmorëve të Kombit!”, ka përfunduar Haradinaj.










