Sot, më 24 shtator 2026, në trevjetorin e rënies në krye të detyrës të Heroit të Kosovës, rreshterit Afrim Bunjaku, u zhvilluan aktivitete përkujtimore dhe homazhe në nderim të jetës, veprës dhe sakrificës së tij në shërbim të Republikës së Kosovës.
Në këtë përvjetor u.d. presidentja e Republikës së Kosovës znj. Albulena Haxhiu, ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës kolonel Gazmend Hoxha dhe personalitete të larta shtetërore e drejtues dhe zyrtarë të lartë të Policisë së Kosovës vizituan familjen e Heroit Afrim Bunjaku, duke shprehur respektin dhe mirënjohjen e thellë për sakrificën e tij dhe për kontributin e dhënë në krye të detyrës.
Në nderim të Heroit Bunjaku, u bënë homazhe pranë varrit të tij, ku u vendosën kurora me lule nga përfaqësues të institucioneve shtetërore, të Policisë së Kosovës, familjarëve dhe pjesëmarrësve të tjerë. Në kuadër të aktiviteteve përkujtimore, u vendos edhe gurthemeli i obeliskut në Banjska të Zveçanit, në vendin ku ra heroikisht Heroi i Kosovës, rreshter Afrim Bunjaku.
Në fjalimet e tyre para mediave, personalitetet shprehën dhembjen, krenarinë dhe respektin më të lartë për veprën dhe sakrificën e Heroit Afrim Bunjaku, i cili ra në krye të detyrës duke përmbushur misionin e tij në mbrojtje të rendit kushtetues, sigurisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës.
Njëkohësisht, u shpreh mirënjohje e veçantë për familjen Bunjaku, për qëndresën dhe dinjitetin e treguar ndër vite, si dhe për të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës që, në përmbushje të misionit të tyre, vazhdojnë të kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, mbrojtjen e qytetarëve, institucioneve dhe kufijve të Republikës së Kosovës.
Tre vjet pas rënies, kujtimi për rreshterin Afrim Bunjaku mbetet i lidhur me detyrën, përkushtimin dhe sakrificën në shërbim të vendit.
Afrim Bunjaku do të kujtohet përherë si Hero i Kosovës dhe pjesëtar i Policisë së Kosovës që dha jetën në krye të detyrës.
Lavdi e përjetshme Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku!










