ÇFARË KUPTIMI KA AFATI NËSE PROCEDURA NUK KA FILLUAR?
Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese i 23 shtatorit 2026 ngre një çështje thelbësore për raportin ndërmjet nenit 82 dhe nenit 86 të Kushtetutës. Gjykata ka konstatuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit ka filluar më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor 2026.
Por pyetja kryesore mbetet shumë e thjeshtë: çfarë kuptimi ka afati 60-ditor nëse procedura për zgjedhjen e Presidentit nuk ka filluar fare?
Në të drejtën, dhe veçanërisht në të drejtën kushtetuese, faktet kanë rëndësi themelore. Norma përcakton faktet që duhet të ndodhin për të lindur pasoja të caktuara juridike. Vetëm pasi të ndodhë fakti i parashikuar nga norma mund të fillojë afati që lidhet me atë fakt dhe, në fund, të prodhohet pasoja juridike.
Neni 82.1(3) ka pikërisht këtë logjikë. Kushtetuta nuk përcakton thjesht se Kuvendi shpërndahet pas kalimit të 60 ditëve. Kushtetuta përcakton se Kuvendi shpërndahet nëse Presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditëve “nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes së Presidentit”.
Pra, norma së pari përcakton faktin, fillimin e procedurës dhe pastaj përcakton afatin prej 60 ditësh. Jo të kundërtën. Afati nuk e krijon faktin. Fakti e aktivizon afatin.
Afatet, për nga vetë natyra juridike, vlejnë për të ardhmen nga momenti kur ndodh fakti që i aktivizon. Afatet përcaktojnë periudhën brenda së cilës një veprim duhet të ndërmerret ose një procedurë duhet të përfundojë. Prandaj, nëse procedura për zgjedhjen e Presidentit nuk ka filluar, lind pyetja: nga cili fakt juridik ka filluar të rrjedhë afati?
Afati nuk mund t’i paraprijë procesit që duhet ta afatizojë. Nuk është afati që krijon procedurën; fillimi i procedurës e aktivizon afatin.
Kjo çështje bëhet edhe më serioze kur pasoja është shpërndarja e Kuvendit, pra përfundimi i mandatit të organit përfaqësues të dalë nga zgjedhjet. Në një çështje të tillë nuk mund të krijohen përmes interpretimit afate ose situata që çojnë në shpërndarjen e Kuvendit pa ndodhur faktet që vetë Kushtetuta i përcakton.
Neni 86 përcakton procedurën për zgjedhjen e Presidentit: kandidaturat, votimet dhe, nëse është e nevojshme, votimin e tretë. Neni 86.6 e lidh shpërndarjen e Kuvendit me një fakt konkret: dështimin e zgjedhjes edhe në votimin e tretë.
Për këtë arsye, nenet 82 dhe 86 duhet të lexohen së bashku. Neni 82 përcakton afatin dhe pasojën, ndërsa neni 86 përcakton procedurën dhe faktet që duhet t’i paraprijnë asaj pasoje. Asnjëra prej këtyre dispozitave nuk mund të lexohet në mënyrë që ta bëjë të panevojshme tjetrën.
Rendi kushtetues është i qartë. Së pari duhet të ndodhë fakti që e parasheh Kushtetuta, pastaj të fillojë procedura dhe të rrjedhë afati brenda të cilit procedura duhet të përfundojë. Vetëm pas zhvillimit të procedurës mund të konstatohet nëse zgjedhja ka pasur sukses apo ka dështuar dhe, mbi këtë bazë, të lindë pasoja kushtetuese.
Nuk mund të veprohet në rend të kundërt: të caktohet fillimisht një afat, të lejohet kalimi i afatit pa u zhvilluar fare procedura dhe pastaj vetëm kalimi i kohës të konsiderohet i mjaftueshëm për shpërndarjen e Kuvendit. Afati nuk mund ta krijojë faktin që nuk ka ndodhur.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur pasoja është shpërndarja e Kuvendit. Një pasojë e tillë duhet të mbështetet në fakte kushtetuese të qarta dhe të verifikueshme, jo në fakte të supozuara. Nëse procedura nuk ka filluar dhe votimet nuk janë zhvilluar, nuk mund të konsiderohet se procedura ka dështuar vetëm sepse ka kaluar një periudhë e caktuar kohore.
Së pari duhet të ndodhë fakti, pastaj fillon afati. Jo afati të kalojë dhe pastaj të konsiderohet se fakti ka ndodhur.
Pikërisht këtu paraqitet edhe një rrezik institucional që nuk duhet nënvlerësuar. Nëse pranohet se afati mund të rrjedhë edhe pa filluar procedura dhe se vetëm kalimi i afatit mund të çojë në shpërndarjen e Kuvendit, atëherë pasiviteti institucional mund të prodhojë vetë pasoja kushtetuese.
Dhe këtu lind një pyetje tjetër: kush garanton se ky pasivitet nuk mund të jetë i qëllimshëm?
Nëse mosveprimi është i mjaftueshëm që afati të kalojë dhe të prodhojë pasoja kushtetuese, krijohet mundësia që një rezultat që nuk arrihet përmes procedurës kushtetuese të tentohet të arrihet përmes pasivitetit dhe kalimit të kohës. Një veprim i tillë mund t’i bëjë afatet kushtetuese të cenueshme ndaj instrumentalizimit politik dhe, në vend që të zgjidhë bllokadat institucionale, mund të prodhojë bllokada të reja.
Kjo është arsyeja pse faktet kushtetuese janë kaq të rëndësishme. Nuk mund të dështojë një procedurë që nuk ka filluar. Nuk mund të dështojë një votim që nuk është zhvilluar. Dhe nuk mund të prodhohet shpërndarja e Kuvendit duke e zëvendësuar faktin kushtetues me kalimin mekanik të kohës.
Prandaj, pyetja nuk është vetëm nëse kanë kaluar 60 ditët. Para kësaj pyetjeje duhet të përgjigjemi: A ka filluar procedura? Cili është fakti juridik që dëshmon fillimin e procedurës? Kur ka ndodhur ky fakt? Dhe a janë zhvilluar veprimet që Kushtetuta kërkon përpara se të prodhohet pasoja e shpërndarjes?
Në fund, nuk mjafton vetëm të ekzistojë një vendim. Një vendim kushtetues duhet të mbështetet në tekstin e Kushtetutës, në faktet juridike dhe, mbi të gjitha, në logjikën kushtetuese. Kushtetuta nuk funksionon vetëm përmes numërimit të ditëve. Rendi kushtetues funksionon përmes normave, fakteve, procedurave dhe pasojave që duhet të ndjekin njëra-tjetrën në mënyrë logjike dhe kushtetuese.
Nëse ky rend përmbyset, interpretimi mekanik i afateve, në vend që të zgjidhë problemin, mund të prodhojë absurditete juridike dhe bllokada të reja institucionale.










