Kombëtarja e Kosovës mbrëm mposhti Ishujt Faroe Ndeshja ishte e vlefshme për fazën e grupeve të Ligës së Kombeve të UEFA-s, dhe ishte ndeshja e parë e zhvilluar në stadiumin me emrin e legjendës kosovare të futbollit, “Fadil Vokrri”. Pjesa e parë kaloi pa gola, kurse fillimi i pjesës së dytë sollën 2 gola të shpejtë, me anë të Arbër Zenelit dhe Atdhe Nuhiut.
Ndeshja u përmbyll me këtë rezultat, 2 me 0, duke dërguar kështu Kosovën në vendin e parë në grupin e tretë të Ligës D, me 4 pikë pas 2 ndeshjeve, para Ishujve Faroe, Azerbejxhanit dhe Maltës. Në anën tjetër Shqipëria pësoi humbje në Skoci, me rezultat gjithashtu 2 me 0, me autogolin e mbrojtësit Berat Xhimshiti dhe golin e Steven Naismith. Në grupin një të Ligës C, Shqipëria ndodhet në vendin e dytë me 3 pikë pas 2 ndeshjeve, ndërsa Skocia në vendin e parë dhe Izraeli në vendin e tretë kanë nga një ndeshje të zhvilluar.