Përdoruesit e telefonisë mobile në Kosovë së shpejti do të kenë mundësi të ndërrojnë operatorin pa pasur nevojë ta ndryshojnë numrin e telefonit, ka njoftuar Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike (ARKEP).
“E drejta për të zgjedhur, pa ndryshuar numrin!”, kështu thuhet në njoftimin paralajmërues të ARKEP të lëshuar dje në mbrëmje, por pa dhënë më shumë detaje.
Buletini Ekonomik mëson se gjatë muajit tetor pritet të funksionalizohet Sistemi i Batshmërisë së Numrave ose sic njihet Mobile Number Portability – MNP.
Mobile Number Portability është një shërbim që të lejon ta mbash të njëjtin numër të telefonit edhe kur e ndërron operatorin mobil. Kjo nënkupton se përdoruesi do ta mbajë të njëjtin numër përfshir edhe prefiksin. Përmes këtij sistemi, prefiksi 049, 044, nuk do ta përcaktojë më operatorin. Për shumë përdorues, veçanërisht për ata që e kanë përdorur të njëjtin numër prej vitesh, ndryshimi i operatorit deri më tani nënkuptonte edhe marrjen e një numri tjetër. Bartshmëria e numrave synon ta heqë pikërisht këtë pengesë.
Ky ndryshim pritet t’u japë përdoruesve të telefonisë mobile në Kosovë më shumë liri në zgjedhjen e operatorit, pasi numri i telefonit nuk do të jetë më pengesë për kalimin nga një operator te tjetri. Kjo pritet të rrisë edhe konkurrencën mes operatorëve, pasi fokusi do të jetë më shumë te shërbimet dhe ofertat atraktive për konsumatorët.
Kosova është e fundit në rajon që do ta funksionalizoj këtë sistem.
Ligji për Komunikimet Elektronike përcakton se ofruesit e shërbimeve publike të komunikimeve elektronike duhet t’u mundësojnë parapaguesve bartjen e numrave kur ndërrojnë ofruesin e shërbimit, sipas procedurave dhe kushteve të përcaktuara nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).
Në praktikë, kjo do të thotë se prefiksi (049, 044) nuk do të tregojë më domosdoshmërisht se cilit operator i përket një përdorues.
ARKEP edhe më herët kishte paralajmëruar se është duke punuar në krijimin e sistemit për bartshmërinë e numrave. Në vitin 2024, u përzgjodh kompania për implementimin e sistemit, ndërsa ARKEP kishte dhënë edhe autorizimin për ofrimin e shërbimit të bartshmërisë.
Sipas raportit vjetor të ARKEP-it, gjatë vitit 2024 ishin caktuar edhe numrat e rutimit për Telekomin e Kosovës dhe IPKO-n dhe ishin finalizuar rregullat për procesin e bartjes. Kjo kishte hapur rrugën për implementimin praktik dhe testimin e sistemit.
Ky sistem do të zbatohet edhe për numrat e telefonisë fikse.
Rregullat e ARKEP-it përcaktojnë gjithashtu se operatorët duhet t’u ofrojnë përdoruesve një mënyrë për të verifikuar se në cilin rrjet ndodhet aktualisht një numër.










