Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës ka aprovuar si të themeltë kërkesëpadinë paditëses N.M., të paraqitur kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke shpallur të paligjshme dhe shfuqizuar pikën 5.2.3 të Shtojcës 1 dhe nenin 7 të Rregullores së Brendshme nr. 01/2026 për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores së Brendshme nr. 07/2024 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në KQZ.
Paditësja N.M. parashtroi padi në Gjykatën Supreme, duke kërkuar shfuqizimin e pjesshëm të Rregullores së Brendshme nr. 01/2026, konkretisht të Shtojcës 1, pika 5.2.3, që i referohet pozitës së saj, si dhe të nenit 7 të kësaj Rregulloreje.
Pas shqyrtimit të padisë, përgjigjes së të paditurës të paraqitur në seancë, deklarimeve të palëve, provave të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor publik dhe analizimit të dispozitave kushtetuese, ligjore dhe nënligjore relevante, Gjykata Supreme ka vlerësuar se kërkesëpadia e paditëses është e themeltë.
Objekt i vlerësimit gjyqësor ishte nëse, gjatë zbatimit të kësaj Rregulloreje, ndaj paditëses ishte bërë trajtim i pabarabartë në raport me punonjësit e tjerë që ndodheshin në situatë të krahasueshme. Gjykata konstatoi trajtim të pabarabartë ndaj paditëses.
Paditësja ushtronte pozitën e “Zyrtares së lartë për planifikim dhe hulumtime zgjedhore”, në kuadër të Divizionit për Trajnim dhe Analiza Zgjedhore.
Gjykata ka konstatuar se, me Rregulloren e kontestuar, disa pozita të KQZ-së, të cilat më parë ishin të përfshira në të njëjtën klasë, janë ri-klasifikuar në klasë më të lartë dhe kanë përfituar nga rritja përkatëse e pagës.
Në të njëjtën kohë, pozita e paditëses nuk është përfshirë në këtë proces ri-klasifikimi dhe as nuk ka përfituar nga rritja e pagës.
Sipas Gjykatës, arsyetimi i KQZ-së se klasifikimi i pozitave është bërë mbi bazën e përshkrimit të detyrave të punës nuk është i mjaftueshëm pa u paraqitur një vlerësim konkret i pozitës së paditëses dhe i pozitave të tjera të ri-klasifikuara.
Në këtë drejtim, Gjykata ka vlerësuar se, nëse KQZ-ja pretendon se pozitat e tjera janë rivlerësuar mbi bazën e kritereve të caktuara, duhet të ekzistojë dokumentacion që dëshmon se cilat kritere janë përdorur gjatë këtij vlerësimi dhe përse pozita e paditëses është lënë jashtë procesit të ri-klasifikimit.
Gjykata ka vlerësuar gjithashtu se argumenti se përgjegjësitë e pozitave të tjera janë të ndryshme nga ato të paditëses nuk e justifikon vetvetiu trajtimin e ndryshëm, përderisa nuk është dëshmuar me prova konkrete se cilat elemente të detyrave dhe përgjegjësive janë marrë parasysh gjatë klasifikimit.
Gjykata Supreme ka ardhur në përfundim se paditëses i është cenuar e drejta për barazi para ligjit dhe për mbrojtje të barabartë ligjore, pasi ajo është trajtuar në mënyrë të pabarabartë në raport me zyrtarë të tjerë që ndodheshin në situatë të krahasueshme, pa u paraqitur një arsyetim objektiv dhe i arsyeshëm për këtë trajtim të ndryshëm.
Sipas Gjykatës, fakti që detyrat e pozitës së paditëses nuk janë identike me ato të pozitave të tjera nuk mund të përbëjë, në vetvete, justifikim të mjaftueshëm për trajtim të ndryshëm, në mungesë të provave konkrete që e arsyetojnë një dallim të tillë.
Për këtë arsye, Gjykata Supreme ka vlerësuar se rregullimi i bërë përmes aktit nënligjor, në pjesën që ka sjellë këtë trajtim të ndryshëm ndaj paditëses, nuk mund të qëndrojë.
Po ashtu, Gjykata ka shfuqizuar nenin 7 të Rregullores së Brendshme nr. 01/2026, të miratuar me Vendimin nr. 01/1444-2026, të datës 9 korrik 2026, pasi ka konstatuar se kjo dispozitë ka cenuar të drejtat e paditëses duke përcaktuar ndryshime në përshkrimin dhe klasifikimin e pozitave, ku disa pozita janë riklasifikuar dhe u janë përcaktuar detyra të reja, ndërsa pozita e paditëses ka mbetur jashtë këtij procesi, si në aspektin e klasifikimit, ashtu edhe të pagës.
Linku i komunikatës: https://supreme.gjyqesori-rks.org/2026/09/29/gjykata-supreme-shfuqizon-dispozitat-e-rregullores-se-kqz-se-per-trajtimin-e-pabarabarte-te-n-m/
Linku i aktgjykimit: https://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/SUP__24_2026_SQ.pdf










