Drejtori për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjilanit, Avdyl Kastrati, u ka bërë thirrje qytetarëve që ta kryejnë me kohë pagesën e këstit të dytë të tatimit në pronë, afati i të cilit përfundon më 30 shtator 2026.
Përmes një njoftimi zyrtar, Kastrati ka rikujtuar se qytetarët që nuk e paguajnë tatimin brenda afatit ligjor do të përballen me gjoba dhe kamata, në përputhje me Ligjin për Tatimin në Pronën e Paluajtshme.
Sipas njoftimit, bazuar në nenin 23 të Ligjit nr. 06/L-005, tatimi vjetor në pronë paguhet në dy këste të barabarta, deri më 30 prill dhe 30 shtator. Ndërkaq, neni 35, paragrafi 6, parasheh gjobë prej 10 për qind të tatimit të papaguar, ndërsa neni 25 përcakton llogaritjen e interesit në baza mujore.
Drejtoria për Buxhet dhe Financa ka dhënë edhe një shembull orientues, sipas të cilit, për një detyrim prej 100 eurosh të papaguar për 12 muaj, me normë interesi prej 0.65 për qind në muaj, shuma totale arrin në 117.80 euro, duke përfshirë gjobën dhe interesin.
Qytetarët mund t’i kontrollojnë dhe t’i shtypin faturat e tatimit në pronë përmes portalit të tatimit në pronë, platformës eKosova, si dhe në sportelet përkatëse të komunës. Edhe qytetarët që jetojnë jashtë vendit mund t’i qasen faturave përmes sistemit elektronik, pas regjistrimit.
Në njoftim theksohet se të hyrat nga tatimi në pronë janë të rëndësishme për financimin e investimeve dhe shërbimeve komunale, përfshirë rrugët, ndriçimin publik, shkollat dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike.
Drejtoria për Buxhet dhe Financa u bën thirrje qytetarëve që të mos e shtyjnë pagesën përtej afatit të përcaktuar, më 30 shtator 2026, për të shmangur gjobat dhe kamatat shtesë.










