Në bashkëpunim me Drejtorinë për Zhvillim Ekonomik të Komunës së Gjilanit, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) zhvilloi një takim me përfaqësues të bizneseve lokale, ku u prezantuan programet “SME Go Green” dhe “Go Digital in the Western Balkans”, të mbështetura nga Bashkimi Evropian.
Gjatë takimit u prezantuan mundësitë konkrete që këto programe ofrojnë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, veçanërisht në digjitalizim, teknologji, eficiencë energjetike dhe investime të gjelbra.
Bizneset patën mundësi të njihen nga afër me programet, të parashtrojnë pyetje dhe të marrin informacione të drejtpërdrejta nga përfaqësuesit e BERZH-it lidhur me mundësitë që ofrohen për zhvillimin dhe modernizimin e aktiviteteve të tyre.
Ky bashkëpunim synon të afrojë më shumë bizneset e Gjilanit me programet dhe instrumentet ndërkombëtare të mbështetjes, duke krijuar mundësi të reja për investime, inovacion dhe rritje të konkurrueshmërisë.










