Qytetarë të shumtë kanë paralajmëruar pjesëmarrjen në një prej organizimeve më të mëdha të viteve të fundit në Kosovë.
Të enjten e 1 tetorit do të mbahet marshi për drejtësi “Jo në emrin tim”, që është organizuar nga platforma “Liria ka emër”.
Ky marsh do të mbahet në vazhdimësi të protestave që janë organizuar tash e 15 ditë me radhë për të kundërshtuar aktgjykimin dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Marshi do të nisë nga ora 16:00 në Prishtinë dhe pjesëmarrjen tashmë e kanë konfirmuar shtresa të shumta të shoqërisë, përfshirë studentë, veteranë e kategori të tjera.
Në një konferencë për media gjatë së mërkurës, drejtuesit e platformës “Liria ka emër” kanë ftuar të gjithë qytetarët që të marrin pjesë në këtë marsh, për të përçuar zërin e fuqishëm në drejtim të mbështetjes për ish-krerët e UÇK-së dhe kundërshtimit të dënimeve të tyre nga Gjykata Speciale.
Një prej kërkesave kryesore do të jetë unifikimi i spektrit politik në vend, përgatitja e një strategjia institucionale, si dhe miratimi i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. /Klankosova.tv











