Shefket Musliu lindi më 10 prill 1946, në Artanë, nga prindërit Zylfi dhe Mihrije. Babai i tij, Zylfi Halim Isufi-Musliu (1905–1975), ishte një veprimtar i çështjes kombëtare, i cili, për veprimtarinë e tij, u përndoq, u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg, së bashku me atdhetarin Ramiz Osmanin në LNDSH dhe shumë shokë të tij.
Pas vitit 1918, kur Kosova u pushtua nga Jugosllavia, familja Musliu kishte emigruar për një kohë në Turqi, si shumë shqiptarë të tjerë.
Pas disa vitesh qëndrimi në Turqi, Zylfiu kishte rënë në kontakt me Konsullatën Shqiptare dhe, përmes rregullimit të disa dokumenteve, iu ishte bërë i mundur kthimi në Shqipëri sepse , sipas marrëveshjes jugosllavo-turke, shqiptarëve jashtë Shqipërisë nuk u lejohej kthimi në atdhe.Pasi ishin kthyer në Shqipëri, ishin vendosur dhe kishin qëndruar për disa vite në Fushë-Krujë të Shqipërisë. Në atë vend kanë qenë edhe shumë familje të tjera kosovare, por familja Musliu kishte qëndruar në të njëjtin oborr ku kishte pasur shumë refugjatë të ikur nga Kosova. Në mesin e tyre ishte edhe heroina Shotë Galica.
Kjo trashëgimi atdhetare e familjes Musliu do të përcillej edhe te i biri, Shefketi, i cili më vonë do t’i kushtohej me përkushtim të madh çlirimit të Kosovës.
Që në moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare, me familjen u shpërngul në fshatin Sopot të Kumanovës. Nga viti 1981, familja Musliu, u kthye sërish për të jetuar në Gjilan. Për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, Shefketi, u detyrua ta merrte rrugën e kurbetit. Që nga viti 1971, u vendos në Regensdorf, afër Cyrihut, ku jetoi dhe veproi për shumë vite deri në fund të jetës së tij.
Në vitin 1980 ra në kontakt me ideologun e organizatorin e shquar, Kadri Zeka. Prej atëherë u angazhua me mish e me shpirt për çlirimin dhe për bashkimin e trojeve shqiptare. Pasi u takua me Kadri Zekën, mori përsipër dhe i dërgoi e i shpërndau në Shkup, Mitrovicë etj., disa ekzemplarë të gazetës “Liria”, me të cilat paralajmëroheshin dhe organizoheshin ngjarjet që e tronditën fundshekullin e kaluar në Evropën Juglindore.
I frymëzuar nga literatura dhe shtypi ilegal si dhe nga kontaktet e shpeshta me ideologun e organizimit ilegal, Kadri Zeka, ngjarjet e vitit 1981, Shefket Musliun e gjetën të përgatitur dhe të gatshëm për t’u angazhuar me gjithë shpirt në lëvizjen ilegale për çlirimin e Kosovës.
Pas shpërthimit të demonstratave studentore në Prishtinë, Shefketi u vu në ballë të demonstratave në Zvicër në përkrahje të të gjitha kërkesave, që i kishte shtruar për zgjidhje populli i Kosovës. Që nga demonstrata e 18 prillit 1981, në Cyrih, Shefket Musliu, ka marrë pjesë në të gjitha demonstratat dhe në tubimet që janë mbajtur, jo vetëm në Zvicër, por edhe në Gjermani, Belgjikë, Francë, Austri e gjetiu.
Me një fjalë, Shefketi gjithnjë ka qenë aty ku e lypte nevoja, aty ku e thërriste zëri i lirisë dhe i popullit, pa u lodhur e kurrë pa u ankuar.
Si njëri prej bashkëpunëtorëve të afërt të Kadri Zekës, i shpërndante traktet dhe gazeta, e organizonte shfaqjen e filmave, i mobilizonte mërgimtarët për demonstrata dhe e shfrytëzonte çdo formë tjetër për t’iu kundërvënë pushtuesve.
Ishte gjithmonë në lëvizje.Sic rrëfente Shefket Musliu “Me Kadriun kemi udhëtuar shumë herë me veturë. Më kujtohet në veçanti udhëtimi për në Vjenë, në Ambasadën e Shqipërisë. Bashkë me Kadriun ishte edhe Jusuf Gërvalla, të cilët nga lodhja, për shkak të punëve të shumta që i kishin dhe nga udhëtimi i gjatë, flinin kokë më kokë, prapa në veturë. Sapo i jemi afruar Ambasadës, janë zgjuar. Kadriu pyeti: “Ku jemi?” Me shaka i thashë: “Në Jugosllavi.” “Paske bërë punë të madhe”, – ma ktheu po me shaka. I dërgova në Ambasadë. I prita derisa mbaruan punë dhe u kthyem.
Kadriu kishte humor jashtëzakonisht të hollë. Edhe në momentet më të vështira të dispononte dhe të bënte të mos lodheshe gjatë udhëtimeve të gjata, natë e ditë, anekënd Evropës”, – i kujton ato ditë të vështira, por edhe të paharruara e plot krenari, Shefketi. Po ashtu nuk harron ta përmendë edhe pjesëmarrjen në përurimin e Odës së parë Shqiptare në lokalet e klubit “Emin Duraku” të Dyseldorfit, ku ishte i pranishëm edhe Kadri Zeka.
Një moment tjetër i rëndësishëm është edhe pjesëmarrja e tij në dasmën e Kadri Zekës dhe të Saime Isufit në Biel/Bienne: “Vërtet isha shumë i gëzuar që më ishte dhënë rasti të jem në atë rreth veprimtarësh. Në këtë dasmë unë e kisha për detyrë t’i drejtoja dasmorët në vendin ku ishte organizuar dasma, në një shtëpi pushimi në malin Magglingen të qytetit Biel/Bienne. Shoqja ime dhe Zijah Shemsiu e kanë përgatitur ushqimin për dasmorët. Kadri Avdullahu shërbente, ndërsa kryedasmorë ishin miqtë e shqiptarëve, zviceranët Beat Schafer dhe Kathrin Asal. Më kujtohet se pas përfundimit të dasmës, Kadri Zeka e ngiste veturën time. Çiftin e ri e përcollëm deri në banesë”.
Ngjarja më e rëndë për Shefketin dhe për shokët e tij ka qenë,krimi i UDB-së, që u krye më 17 janar 1982, në Untergrupenbah, kur lëvizja kombëtare i humbi përgjithmonë tre prijësit e saj më të mirë, Kadri Zekën dhe vëllezërit Gërvalla ,Ai në një intervistë me gazetarin Ismet Rashiti , Shefketi do rrëfente ngjarjen nga tronditja që ishte për Levizjen: “Nuk mund ta harroj kurrë atë natë të tmerrshme. Diku, pas mesnate, më telefonoi Hasan Mala. Më tha se duhej të shkonim sa më shpejt në Shtutgart. U bëmë gati dhe menjëherë u nisëm me Hasan Malën, shoqen e Kadriut, Saime Isufin dhe Ilaz Krasniqin. Të them të drejtën nuk e dija se çfarë kishte ndodhur saktësisht, por që kishte ndodhur diçka e rëndë, po. Kur arritëm pranë banesës së vëllezërve Gërvalla, e pamë policinë. Ishte mëngjesi i 18 janarit 1982, një mëngjes i acartë, që s’harrohet kurrë. Mbi borë shiheshin gjurmë gjaku. Ishte e tmerrshme. Më vonë, mora pjesë në varrimin e dëshmorëve në varrezat e Shtutgartit. Me atë rast e mbajti një fjalim, Ibrahim Kelmendi”.
“Vrasja e Jusufit, e Kadriut dhe e Bardhoshit ishte humbje e madhe. Nuk dinim çka të bënim: pos asaj se lufta duhej vazhduar sipas mësimeve dhe porosive të tyre. Më kujtohet se, menjëherë pas vrasjes së tre pishtarëve të lirisë, veprimtari Ismet Rashiti, i cili në atë kohë qëndronte në Cyrih, e shkroi një trakt në banesën time, që bënte thirrje për bashkim të veprimtarëve dhe për vazhdimin e luftës për liri, sipas mësimeve të Jusufit, të Kadriut dhe të Bardhoshit. Në trakt denoncohej me forcë ky krim i shëmtuar dhe gishti akuzues drejtohej te burimi i së keqes, te UDB-ja jugosllave, e cila amullinë e krijuar përpiqej ta shfrytëzonte për të krijuar përçarje midis forcave të organizuara ilegale.”, – thotë Shefket Musliu.
Veprimtari i palodhshëm, Shefket Musliu, qysh herët ishte organizuar në radhët ilegale. Në fillim ishte në një celulë me Kadri Avdullahun, pastaj pas riorganizimeve, veproi në një celulë me Ilaz Krasniqin dhe me Hasan Malën. Më vonë u ngjit edhe në përgjegjësi të larta të LPRK-së.
Ndihmesë të çmueshme Shefketi ka dhënë edhe në për ndarjen e klubit “Përparimi” në Cyrih nga klubi jugosllav dhe për punën e tij në vazhdim. Klubi ishte bërë një bazë e fuqishme propagandistike e mërgimtarëve tanë. Aty shpërndahej shtypi ilegal, shkruheshin parulla dhe bëhej organizimi për pjesëmarrje në demonstrata.
Njëri nga këta veprimtarë, që i organizonte me sukses bashkatdhetarët, që i njoftonte për të gjitha zhvillimet në Kosovë dhe i shpërndante shtypin dhe literaturën ilegale, padyshim ishte edhe atdhetari i paepur, Shefket Musliu, të cilin e njihnin të gjithë bashkatdhetarët, që nuk ishin pak, që jetonin e punonin në rrethin e Cyrihut.
Shtëpia e tij ishte bazë e fortë e të gjithë atdhetarëve. Ajo ishte shtëpi e ngrohtë e me sofrën e begatë e me bujarinë shqiptare. Gruaja e tij, Remzia, ishte krah i fortë i Lëvizjes. Ajo për asnjë çast nuk iu nda veprimtarisë atdhetare bashkë me Shefketin. Ashtu me ato kushte jo të lehta të mërgimtarit i lindën e i rritën 4 fëmijë, 1 vajzë e 3 djem.
Veprimtaria e tij atdhetare vazhdoi edhe gjatë luftës së UÇK-së në Kosovë. Ai ndihmoi në të gjitha format, në organizim, në mobilizim e financim, duke përgatitur vullnetarë drejt frontit. Si rrallë kush iu gëzua çlirimit, tani i kishin larguar pengesat që të ishte i lirë në Kosovë. Shpirti i tij liridashës nuk pushonte së vepruari, lufta në pjesët e robëruara po vazhdonte, si gjithnjë nuk kurseu asgjë, duke ndihmuar me mjete financiare.
Si humanist, ishte shembull, për shumë familje me gjendje të rëndë e që e kishin krah të fortë në mbështetje…
Shefket Musliu me shokët e tij bashkë-veprimtarë, I përkasin brezit, sic e quante I madhi Rexhep Qosja “Rilindja e dytë kombëtare” dhe motoja e tyre ishin vargjet epike të rilindasit, Naim Frashëri: “Ty Shqipëri të qofsha falë ,të kam mëmë e me ke djalë”!
Lavdi jetës dhe veprës atdhetare të Shefket Musliut.
I pavdekshëm qoftë emri i tij!
(Një pjesë e biografisë është marrë nga libri “Rrëfanë lirie” të autorit Ismet Rashiti)
SHBP GJILAN
Selajdin Abdullahu
30.09.2026










