Në Uglar po mungojnë dukshëm investimet ndërsa edhe ato që po ndodhin nuk po bëhen mirë. Kështu ka thënë Ramiz Isufi, kryetar i Këshillit të Fshatit, i cili përmendi rastin më të freskët ku në shkollën e fshatit, ka rënë plafoni, që për fat të mirë nuk ka rezultuar me ndonjë pasojë për ndonjë nxënës.
Ai tha se po ndihen të revoltuar me pushtetin aktual që nuk po i trajton qytetarët njësojë dhe se kjo po shihet edhe me mungesë të theksuar të projekteve për këtë lokalitet, por edhe kur janë në pyetje projektet që realizohen, e që bëhen shkel e shko.
Isufi edhe më herë kishte reaguar për cilësinë e disa projekteve që janë realizuar, bile edhe në këtë shkollë, dhe se tani ai thotë se u pa edhe me rastin e plafonit që ra, që ndonëse punimet kishin përfunduar tani së fundi, nuk u deshtë të kalojë as java dhe plafoni të bie.
Ai u shpreh i revoltuar me komunën që po lejon realizimin e projekteve në këtë mënyrë sepse përveç që jo cilësia e tyre e bënë projektin të paqëndrueshëm, shihet se mund të jetë edhe me pasoja, si në këtë rast, që ka mundur t’i lëndojë nxënësit pasi kanë qenë brenda në klasë.
“Kjo praktikë denigruese dhe tejet diskriminuese që po bëhet nga pushteti aktual ndaj këtij lokaliteti qoftë me mungesë projektesh qoftë me formën si realizohen ato, duhet të ndërpritet. Ne nuk e meritojmë të trajtohemi si qytetarë të dorës së dytë”, ka thënë Isufi.