Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Luan Aliu, ka reaguar pas incidentit të sotëm, ku protestuesit sulmuan ish-deputetin dhe zyrtarin e LVV-së, Sami Kurteshi.
Aliu ka vlerësuar se Kurteshi ka një të kaluar të gjatë në rezistencën ndaj regjimit jugosllav, duke theksuar se ai ishte përndjekur, arrestuar dhe torturuar për bindjet e tij.
Ai ka kundërshtuar gjithashtu pretendimet se Kurteshi kishte votuar për themelimin e Gjykatës Speciale, duke theksuar se ai nuk e ka votuar krijimin e saj.
Sipas Aliut, mospajtimet politike janë të lejueshme, por ato nuk duhet të shndërrohen në sulme ndaj personave që, sipas tij, kanë kontribuar dhe sakrifikuar për Kosovën.
Ja reagimi i plotë i Luan Aliut:
Të sulmosh Sami Kurteshin është mungesë respekti për historinë dhe sakrificën për Kosovën.
Sami Kurteshi u përndoq, u arrestua, u torturua dhe vuajti vite burg nga regjimi jugosllav për idealet e tij. Ishte ndër veprimtarët që e mbajtën gjallë frymën e rezistencës dhe që u bënë frymëzim për shumë prej atyre që më vonë iu bashkuan UÇK-së.
Dhe ta kemi të qartë: Sami Kurteshi nuk e ka votuar krijimin e Gjykatës Speciale.
Mund ta kritikosh politikisht dhe mund të mos pajtohesh me të. Por të sulmosh një njeri që ka sakrifikuar vite të jetës për Kosovën është e turpshme.
Protesta nuk të jep të drejtë ta fyesh historinë. Respekti për sakrificën e atyre që vuajtën për lirinë tonë duhet të jetë mbi çdo dallim politik.


