Mesazhet që u çonte Lutfi Haziri publikisht disa prej deputetëve të rinj të LDK-së, veçmas Vjosa Osmanit, janë mohuar menjëherë, ani pse qartazi kuptoheshin se Haziri po ua tregonte vendin këtyre deputetëve. Vetëm mbrëmë përplasja mes dyshes Lutfi Haziri – Vjosa Osmani eskaloi aq sa ta quanin njëri-tjetrin mashtrues.
Brenda Lidhjes Demokratike prej kohësh zhvillohet drama e përplasjeve të kryesisë së partisë me deputeten Vjosa Osmani. Fillimisht kryetari Isa Mustafa, pastaj edhe nënkryetarët kanë pasur probleme me të.
Tash Osmani ka rregulluar raportet me Mustafën, por lufta është zhvendosur diku tjetër, te rivaliteti që kanë krijuar emrat që konsiderohen si aspirantë të marrjes së kreut të partisë. Lutfi Haziri e Vjosa Osmani janë dy prej emrave të rëndësishëm që partisë, që kanë raporte të acaruara mes vete.
Mbrëmë nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, kishte zgjedhur tre deputetë të partisë së tij që t’i gozhdonte, për një vizitë që ata e kishin bërë në fshatin Boletin të Zubin Potokut, si shenjë kundërshtimi të ndarjes së Kosovës.
Atje kishin shkuar deputetët Vjosa Osmani, Armend Zemaj e Haxhi Avdyli, por Haziri tha se hallin e kishte me Vjosën, të cilen ai e quante “nuse të Preshevës”, që po e tradhton Luginën për vota.
Haziri, propozues/adhurues i idesë së ndryshimit të kufijve, e sulmoi direkt deputeten, duke thënë ajo se e ka vizituar kullën e Isa Boletinit e ‘po shet mend’ për përfitime elektorale.