Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se ish-ministrja e PDK-së, Justina Shiroka-Pula, është emër i pranueshëm për këtë parti për postin e Presidentes së Kosovës.
Në një prononcim për media, Hamza tha se PDK-ja pret që të votohet Ligji për Dhomat e Specializuara, ndërsa bëri të ditur se si kundërkandidate për Presidente do ta propozojnë deputeten e kësaj partie, Eliza Hoxhën.
“Mendoj që është dashur të ketë seriozitet në këtë çështje dhe për situatën se ku duam ta dërgojmë vendimin”, tha Hamza.
Ai bëri të ditur se pas konferencës do të shkojnë në sallën e Kuvendit, duke përsëritur se presin votimin e Ligjit.
“Nga kjo konferencë do të shkojmë në sallë dhe presim të votohet Ligji”, u shpreh ai.
Hamza tha se PDK-ja nuk ka pasur mundësi të bisedojë me Shiroka-Pulën, por megjithatë e konsideron atë emër të pranueshëm për postin e Presidentes.
“Nuk kemi pasur mundësi të bisedojmë me znj. Shiroka-Pula, por për PDK-në është emër i pranueshëm për Presidente”, deklaroi Hamza.
Ndërkohë, ai konfirmoi se PDK-ja do ta propozojë Eliza Hoxhën si kundërkandidate.
“Si kundërkandidate, Eliza Hoxha”, tha Hamza.


