Ilir Deda kërkon që presidentes së re t’i jepet kohë për të dëshmuar punën e saj, ndërsa Agon Maliqi dhe Shenoll Muharremi i bëjnë thirrje për paanshmëri politike. Haga, integrimet evropiane, dialogu me komunitetet joshumicë dhe raportet me pozitën e opozitën janë ndër sfidat që do ta përcjellin Presidencën e re.
Presidentja e re e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, pritet të përballet me sfida të rëndësishme politike dhe institucionale, në një kohë kur vendit i nevojitet konsensus për çështjet strategjike, bashkëpunim ndërmjet pozitës dhe opozitës dhe ruajtje e funksionimit të institucioneve të pavarura.
Në ditët e para të mandatit të saj, analistët politikë kanë dhënë qëndrimet e tyre për drejtimin që duhet të ndjekë presidentja, duke kërkuar që ajo të mos nxitohet në veprime, por të ndërtojë një Presidencë që përfaqëson të gjithë spektrin politik dhe shoqëror të vendit.
Analisti politik Ilir Deda ka vlerësuar se Shiroka-Pulës duhet t’i jepet kohë për të dëshmuar punën e saj, duke theksuar se institucion i i Presidencës duhet të ketë vazhdimësi dhe marrëdhënie të mira me Qeverinë dhe opozitën.
“Jepini pak kohë presidentes së re. Presidenca duhet të ketë kontinuitet, duhet të ketë mirëbesim me Qeverinë, duhet të ketë mirëbesim me opozitën. Përbashkimi është punë e rëndë që nuk matet me ditë apo me emërime këtu aty”, ka shkruar Deda.
Ai ka theksuar se rezultatet e punës së presidentes nuk mund të vlerësohen vetëm nga veprimet e para, por duhet të kalojë një periudhë kohore për të parë efektet e drejtimit të saj.
“Efektet e presidencës së re mund t’i matni tek pas tre muajsh. Kështu që mos u ngutni”, ka shkruar Deda.
Ndërkohë, politologu Agon Maliqi ka paralajmëruar se presidentja e re do të përballet me presione politike nga të gjitha anët, duke i bërë thirrje që të ketë kujdes në përcaktimin e kursit të saj.
Sipas Maliqit, një nga sfidat kryesore të Shiroka-Pulës do të jetë ndërtimi i konsensusit të brendshëm politik për çështjet strategjike të Kosovës, përfshirë proceset integruese, çështjet që lidhen me Hagën dhe dialogun me komunitetet joshumicë.
“Presidentja Shiroka-Pula do të përballet këto ditë me presione politike nga të gjitha anët. Nga përvoja e saj e gjatë, besoj se e ka të qartë se aleatin më të natyrshëm do t’i ketë shoqërinë civile dhe mediat”, ka shkruar Maliqi në Facebook.
Ai ka vlerësuar se, pavarësisht dallimeve në bindje, ekziston hapësirë për bashkëpunim rreth objektivave të përbashkëta, veçanërisht për çështjet që kërkojnë mbështetje të gjerë politike.
Maliqi ka përmendur edhe mbrojtjen e hapësirës demokratike dhe të institucioneve të pavarura nga interesat korruptive, duke theksuar rëndësinë e një Presidencë që nuk kufizohet vetëm te një pjesë e spektrit politik.
“Me një presidencë të vërtetë konsensuale dhe të hapur ndaj gjithë spektrit politik dhe shoqërisë civile, e kemi një mundësi të daljes nga cikli i politikës polarizuese dhe vetëshkatërruese. Çfarëdo kursi tjetër i presidencës e zhyt Kosovën edhe më thellë në kaos”, ka shkruar ai.
Përveç sfidave politike dhe institucionale, në qendër të diskutimeve është edhe mënyra se si presidentja do ta organizojë ekipin e saj dhe do të sigurojë paanshmërinë e Presidencës.
Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar pas raportimeve për emërimet e para në kabinetin presidencial, duke kërkuar që Shiroka-Pula të sigurojë staf profesional dhe të pavarur nga partitë politike.
Muharremi ka shprehur shqetësimin se përfshirja e personave me angazhime partiake në kabinet mund të ndikojë në perceptimin për paanshmërinë e institucionit.
“Presidentja, e cila duhet me qenë figurë unifikuese, për çka edhe është zgjedhur, po raportohet se e paska politizuar në start zyrën e presidentit me emërimet e personave që janë pjesë e partive politike. Nuk di nëse zonja Justina Pula ka qenë në dijeni për veprimet që i ka ndërmarrë apo i ka bërë pa vetëdije? Sidoqoftë, ky është një fillim shumë i keq dhe tregon qysh në fillim që aty nuk do të ketë paanësi, por ajo zyrë do të jetë nën ndikimin e thellë të LVV-së”, ka shkruar Muharremi.
i ka bërë thirrje presidentes që të reflektojë dhe të sigurojë që kabineti i saj të përbëhet nga profesionistë, duke paralajmëruar për rrezikun e humbjes së besimit publik nëse Presidenca perceptohet si e ndikuar nga interesat partiake.
“I bëj thirrje publike Justina Pulës që menjëherë t’i korrigjojë këto veprime dhe pa vonesë të emërojë personel profesional dhe sidomos të pavarur nga partitë politike. Përndryshe, ajo në fillim rrezikon seriozisht ta shkatërrojë reputacionin e saj dhe ta humbë besimin e publikut ende pa filluar mirë punën”, ka shkruar ai.
Reagimet e analistëve vijnë në kohën kur kanë nisur raportimet për përbërjen e ekipit të ri presidencial. Sipas raportimeve mediatike, në mesin e emrave që pritet të jenë pjesë e kabinetit janë Berita Abazi, Donika Kavaja, Bekim Kupina dhe Getoar Sylaj.
Disa prej tyre kanë pasur angazhime të mëparshme në institucione të drejtuara nga Vetëvendosja, ndërsa emërimet e raportuara nuk janë konfirmuar të gjitha zyrtarisht nga Presidenca.
Gazeta Nacionale ka raportuar se Berita Abazi, asambliste e Vetëvendosjes në Prishtinë dhe ish-shefe e stafit të Albulena Haxhiut, është emëruar shefe e stafit në Presidencë.
Megjithatë, përtej diskutimeve për përbërjen e kabinetit, sfida kryesore e presidentes së re mbetet mënyra se si do ta ushtrojë rolin e saj kushtetues në raport me institucionet, partitë politike dhe shoqërinë.
Edhe deputetja e PDK-së, Sala Jashari, ka reaguar pas raportimeve se presidentja e re ka emëruar disa militantë të VV-së në kabinetin e saj.
Duke mos përmendur rastet konkrete, ajo ka bërë me dije se PDK-ja ka besuar dhe vazhdojmë të beson në integritetin e presidentes.
Në profilin e saj në Facebook, ajo ka shkruar se Shiroka-Pula është një grua me përvojë dhe përkushtim të dëshmuar ndër vite.
“Ajo është një grua me përvojë dhe përkushtim të dëshmuar ndër vite. Ka qenë pjesë e PDK-së si deputete dhe ministre, por vlerësimi ynë nuk u mbështet vetëm në përkatësinë e saj politike. Mbi të gjitha, kemi besuar dhe vazhdojmë të besojmë në integritetin e saj, në vlerat e saj personale dhe në aftësinë për ta përfaqësuar vendin me dinjitet. Besoj se figura e saj përfaqëson një mundësi të mirë për Kosovën. Sepse në momente vendimtare, shteti duhet të jetë mbi interesat partiake”, ka thënë ajo./Demokracia.com/.










