Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka marrë pjesë në aktivitetin “Data4Breakfast”, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, ministrin e Bujqësisë, Armend Muja dhe përfaqësues të sektorit të përpunimit të ushqimit, ku është diskutuar për mundësitë e rritjes së kapaciteteve prodhuese, financimit, eksporteve dhe përdorimit më të madh të lëndës së parë vendore.
Gjatë diskutimit, u theksua rëndësia e rritjes së prodhimit vendor dhe zëvendësimit të importeve me produkte të prodhuara në Kosovë, si një nga drejtimet për forcimin e ekonomisë dhe rritjen e sigurisë ekonomike.
Në kuadër të “Agjendës 1 Miliard”, synohet që një miliard euro importe të zëvendësohen me prodhim vendor. Në këtë drejtim, u theksua nevoja që Kosova të rrisë prodhimin, të zgjerojë eksportet dhe të ulë varësinë nga importet.
Ministrja Kusari-Lila ka falënderuar Data4X për organizimin e aktivitetit dhe për krijimin e hapësirës për dialog të drejtpërdrejtë me prodhuesit e sektorit të përpunimit të ushqimit.










