Me pikëllim të thellë dhe shqetësim të madh e kam marrë lajmin për vdekjen tragjike të dy anëtarëve të familjes Bogujevci nga Pozherani dhe plagosjen e një anëtari tjetër të kësaj familjeje.
Ky akt i rëndë dhune është një humbje e madhe dhe një ngjarje që trondit çdo qytetar. Në këto momente të dhimbjes së thellë, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen Bogujevci, të afërmit dhe të gjithë ata që po përballen me këtë tragjedi. Të plagosurit i uroj shërim të shpejtë dhe të plotë.
Njëkohësisht, shpreh shqetësimin dhe indinjatën time të thellë për këtë rast të rëndë dhe bëj thirrje që organet kompetente të veprojnë me urgjencë, të zbardhin plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësit të përballen me drejtësinë.
Dhuna dhe marrja e jetëve të njerëzve janë të papranueshme dhe nuk mund të kenë asnjë arsyetim. Siguria e qytetarëve dhe mbrojtja e jetës së njeriut duhet të mbeten përparësi e institucioneve dhe e gjithë shoqërisë sonë.
Në këto çaste të rënda, ndaj dhimbjen me familjen Bogujevci dhe lutem që ajo të gjejë forcën për ta përballuar këtë humbje të parikuperueshme.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes Bogujevci!
Me respekt dhe solidaritet,
Sokol Haliti
Kryetar i Komunës së Vitisë










