Feti Murseli, drejtor i përgjithshëm i FC Drita, ka muaj të tërë që me tërë qenien e tij i është përkushtuar punës në ndërtimin e qendrës sportive “Drita Camp”, e cila dita-ditës po merr formën e duhur.
Dikur një kodrinë e mbushur me gurë, fillimisht u bë një fushë futbolli me bari sintetik, për të ushtruar e për t’i zhvilluar aty lojërat gjeneratat e reja, por ambiciet e FC Drita nuk ishin të kufizuara vetëm me kaq, ngase drejtuesit e Dritës kishin një synim tjetër, që atë kodrinë ta shndërrojnë në kamp dhe për këtë ekipi bardh e kaltër besimin ia dha drejtorit Feti Murseli, i cili mori përsipër të udhëheq punët.
U ndërtua zhveshtorja e tribunat, u ndërtua një ambient pritjeje për prindërit e për freskim dhe së fundi po merr formë edhe Stadiumi me bar natyral, me ulëse moderne, i cili shumë shpejtë pritet të jetë arenë e ndeshjeve të Superligës.
Në Gjilan, Stadiumi i Qytetit po bëhet, por me ritëm të ngadaltë, kurse FC Drita nuk rri kot, por si ekipet e mëdha evropiane po ndërton kampin e saj.
Siç thekson Feti Murseli, drejtor i përgjithshëm i FC Drita, kompleksi i ri sportiv i skuadrës bardhekaltër po merr formën përfundimtare, ndërsa synimi i klubit është që stinorin pranveror ta nisë në shtëpinë e re. Ai thotë se punimet po zhvillohen me ritëm të shpejtë, duke afruar realizimin e një projekti të rëndësishëm për klubin bardhekaltër dhe tifozët e tij.
Sipas pritjeve në klub, nëse punimet vazhdojnë sipas planit, Drita synon që nga muaji shkurt ndeshjet t’i zhvillojë në stadiumin e ri, duke e nisur kështu stinorin pranveror në shtëpinë e saj.
Ulëset tashmë janë vendosur, ndërsa në vazhdim pritet të punohet në rregullimin e fushës dhe përfundimin e hapësirave të brendshme. Përpara se kompleksi të shfrytëzohet për ndeshje zyrtare, ai duhet t’i plotësojë kushtet dhe kriteret e kërkuara nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) dhe FC Drita po shkon në atë drejtim.
“Për Dritën, “Drita Camp” përfaqëson më shumë sesa një vend ku do të zhvillohen ndeshjet. Ky projekt synon të krijojë kushte më të mira për ekipin, të përmirësojë infrastrukturën sportive të klubit dhe të shërbejë si bazë për zhvillimin e tij në të ardhmen. Investimet dhe përmirësimet pritet të vazhdojnë edhe në vitet e ardhshme, me synimin që kompleksi të shndërrohet në një qendër të rëndësishme sportive, jo vetëm për Dritën, por edhe për futbollin e Kosovës”, thekson Feti Murseli, drejtor i përgjithshëm i FC Drita.
Nëse gjithçka ecën sipas planit dhe përmbushen kriteret e nevojshme, muaji shkurt mund të shënojë një moment të veçantë për klubin bardhekaltër, kalimin në shtëpinë e re dhe fillimin e një kapitulli të ri në historinë e tij./kryelajmi.com/.










