Besnik Krasniqi ka arritur një tjetër moment të rëndësishëm në karrierën e tij me FC Dritën, duke shënuar golin e 50-të me fanellën bardhekaltër.
Sipas klubit gjilanas, Krasniqi renditet në vendin e dytë në listën e golashënuesve më të mirë në historinë e Dritës, pas legjendës së klubit, Xhevdet Shabani, i cili ka realizuar 66 gola.
Ky sukses konfirmon kontributin e rëndësishëm të Krasniqit në fanellën e Dritës, ku ai vazhdon të jetë një prej emrave të rëndësishëm të skuadrës.
Arritja e tij vjen pas golit vendimtar të shënuar në fitoren 1:0 të Dritës ndaj Ballkanit, më 13 tetor, në kuadër të Superligës së Kosovës.
Me këtë rast, FC Drita ka vlerësuar arritjen e futbollistit me mesazhin: “Besnik Krasniqi, 50 gola me ne”.










