Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK), pas informatave për kërkesën e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prishtinë për përgatitjen e kontratave të reja për punëtorët që kanë marrëdhënie pune me afat të pacaktuar, shpreh kundërshtimin e saj kategorik ndaj kësaj nisme, përderisa nuk janë zhvilluar negociata me SBASHK-un dhe nuk është harmonizuar një model unik i kontratës për tërë Kosovën.
SBASHK-u rikujton se kontratat aktuale të mësimdhënësve të arsimit parauniversitar janë hartuar në përputhje me Udhëzimin Administrativ të MASHT-it nr. 10/2015 për Kontratën e Punës për Mësimdhënës të Arsimit Parauniversitar, si rezultat i një procesi negociues ku ka marrë pjesë edhe SBASHK-u, me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve të arsimit.
SBASHK thotë se është e papranueshme që punëtorëve me kontrata valide dhe me afat të pacaktuar t’u kërkohet nënshkrimi i kontratave të reja pa u sqaruar nevoja për këtë ndryshim, pa u prezantuar drafti dhe pa u zhvilluar negociata me Sindikatën.
“Shqetësim të veçantë paraqet kërkesa e DKA-së së Prishtinës që kontrata e re të përmbajë dispozitë për shfuqizimin e kontratës paraprake, pasi kjo mund të ndikojë në pozitën juridike dhe të drejtat e punëtorëve”.
“Deri më tani, SBASHK-ut nuk i është prezantuar një model i plotë i kontratës së re për shqyrtim dhe negocim. Prandaj, nuk mund të kërkohet nga punëtorët të nënshkruajnë dokumente, përmbajtja dhe pasojat e të cilave nuk janë shqyrtuar me përfaqësuesit e tyre sindikalë”.
“Kërkojmë model unik të kontratës për tërë Kosovën
Nëse ekziston nevoja për ndryshimin ose harmonizimin e kontratave, ky proces duhet të zhvillohet në nivel qendror, përmes negociatave ndërmjet SBASHK-ut dhe Konsorciumit të Drejtorëve të Drejtorive Komunale të Arsimit”.
“Qëllimi duhet të jetë hartimi i një modeli unik të kontratës për të gjitha komunat, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me garanci të qarta për mbrojtjen e të drejtave të fituara të punëtorëve. Veprimet e njëanshme të komunave mund të krijojnë praktika të ndryshme dhe paqartësi juridike”.
SBASHK-u tutje thotë se nuk është kundër përmirësimit të dokumentacionit administrativ, por këmbëngul që çdo ndryshim të bëhet përmes dialogut social dhe negociatave, pa cenuar të drejtat ekzistuese.
“Apel kategorik për mësimdhënësit dhe punëtorët e arsimit
Duke u mbështetur edhe në qëndrimet e mëparshme të viteve 2024, 2025 dhe 2026, SBASHK-u u bën thirrje të gjithë punëtorëve të arsimit që kanë kontrata valide me afat të pacaktuar:
MOS NËNSHKRUANI KONTRATA TË REJA TË PUNËS PA U NEGOCIUAR DHE HARMONIZUAR PARAPRAKISHT DRAFTI I TYRE ME SBASHK-UN!
Kontratat aktuale janë valide dhe janë hartuar në përputhje me Udhëzimin Administrativ nr. 10/2015. Derisa drafti i ri të shqyrtohet dhe të negociohet, nuk duhet të ketë nxitim për zëvendësimin e tyre”, thotë tutje SBASHK.
SBASHK-u kërkon nga kryetarët e shoqatave sindikale t’i informojnë anëtarët për këtë qëndrim dhe t’ia përcjellin çdo kërkesë apo presion lidhur me nënshkrimin e kontratave të reja.
“Ky qëndrim vlen për punëtorët që tashmë kanë kontrata valide me afat të pacaktuar. Kontratat për ata që hyjnë për herë të parë në marrëdhënie pune trajtohen veçmas, sipas procedurave dhe kërkesave ligjore”, thuhet në reagimin e SBASHK-ut.
Kërkesat e SBASHK-ut
SBASHK-u kërkon:
1. Nga DKA-ja e Prishtinës, pezullimin e procesit të përgatitjes për nënshkrimin e kontratave të reja për punëtorët me kontrata valide, deri në përfundimin e konsultimeve dhe negociatave me SBASHK-un.
2. Nga Konsorciumi i Drejtorëve të DKA-ve, fillimin e negociatave për hartimin dhe harmonizimin e një modeli unik të kontratës për të gjitha komunat e Kosovës.
3. Që drafti i kontratës së re t’i vihet në dispozicion SBASHK-ut për shqyrtim dhe negocim para se t’u kërkohet punëtorëve nënshkrimi i saj.
4. Që çdo model i ri të garantojë respektimin e të drejtave të fituara dhe të mos cenojë pozitën juridike të punëtorëve.
5. Që deri në përfundimin e negociatave të mos ushtrohet presion ndaj punëtorëve të arsimit për nënshkrimin e kontratave të reja.
SBASHK-u është i gatshëm të marrë pjesë në negociata dhe të kontribuojë në hartimin e një modeli të qartë, unik dhe në përputhje me legjislacionin, por nuk do të pranojë procese të njëanshme pa përfshirjen e Sindikatës dhe pa garanci për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.
Të drejtat e punëtorëve nuk mund të rrezikohen nga veprime të njëanshme administrative. Kontratat e reja duhet të negociohen, të harmonizohen dhe të garantojnë mbrojtjen e të drejtave të fituara.










