Pritjes po i vjen fundi! Big Brother VIP Kosova rikthehet zyrtarisht më 30 tetor 2026, duke hapur kapitullin e pestë të një prej formateve televizive më të suksesshme dhe më të ndjekura në hapësirën shqiptare.
Pas katër edicioneve që kanë shënuar sukses të jashtëzakonshëm, sezoni i ri vjen më ambicioz se kurrë, me një kast të jashtëzakonshëm, dinamika të reja dhe surpriza që premtojnë një spektakël televiziv të një niveli tjetër.
Një prej risive kryesore të këtij edicioni është numri i pjesëmarrësve. Për herë të parë, mbi 20 banorë do të hyjnë në shtëpinë më të famshme në Kosovë që në natën e parë të spektaklit.
Për këtë sezon është përzgjedhur një kast tejet divers, me personalitete të spikatura nga muzika, televizioni, arti dhe fusha të ndryshme të jetës publike. Karakteret e forta, historitë personale dhe botëkuptimet e ndryshme pritet të krijojnë dinamika të jashtëzakonshme.
Nga viti në vit, Big Brother VIP Kosova ka shënuar rritje të vazhdueshme, duke u shndërruar në një fenomen të mirëfilltë televiziv që ka tejkaluar kufijtë e Kosovës. Për më shumë se tre muaj rresht, çdo sezon, formati ka mbërthyer shqiptarët në Kosovë, Shqipëri dhe diasporë në maratona televizive, duke dominuar diskutimet publike dhe rrjetet sociale.
Me një produksion që vazhdimisht ka ngritur standardet e realizimit televiziv, një kast që premton shumë dhe një lojë që do të sjellë emocione dhe zhvillime të paparashikueshme, Big Brother VIP Kosova 5 pritet të jetë një sezon i jashtëzakonshëm, që do të tejkalojë suksesin e edicioneve të mëparshme.
Më 30 tetor, dyert e shtëpisë më të famshme në Kosovë hapen sërish.
Spektakli që ka mbërthyer shqiptarët për katër sezone rikthehet më i fuqishëm se kurrë!
Produksioni i Big Brother VIP Kosova










