Trajneri i FC Dritës, Ardian Nuhiu, është shprehur i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij në fitoren 0-3 ndaj FC Prishtinës, duke vlerësuar personalitetin e futbollistëve dhe disiplinën taktike të treguar gjatë ndeshjes.
Nuhiu theksoi se Drita arriti ta kontrollonte lojën dhe të mos e lejonte kundërshtarin të zhvillonte futbollin e tij, duke e cilësuar fitoren plotësisht të merituar.
“Definitivisht, ishte një ndeshje me shumë personalitet nga futbollistët tanë. Në aspektin taktik, nuk e lejuam kundërshtarin ta mbante topin, pasi ka bërë mirë gjatë kësaj periudhe. Mendoj se e fituam takimin me plot meritë”, deklaroi Nuhiu.
Duke folur për fillimin e kampionatit dhe mungesën e golave në ndeshjet e para, trajneri i Dritës pranoi se skuadra ka kaluar një periudhë jo të lehtë, por u shpreh i kënaqur me reagimin e futbollistëve.
“Pa diskutim, fillimi nuk ishte i lehtë, pasi ky grup ka 2-3 vite që luan së bashku. Megjithatë, më pëlqen reagimi i skuadrës. Kemi ende mundësi të përmirësohemi, sepse kampionati është i gjatë. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje”, përfundoi Nuhiu.
Fitorja bindëse ndaj Prishtinës i jep Dritës një shtysë të rëndësishme për vazhdimin e kampionatit, ndërsa Nuhiu kërkon që skuadra të ruajë përqendrimin dhe të vazhdojë të përmirësohet nga ndeshja në ndeshje.










