Mosmbrojtja e një fëmije, dyshimet për manipulim të deklarimeve, rreziku i zhdukjes së provave dhe ndërhyrjet e pretenduara të Prokurorisë në punën e hetuesve janë disa nga çështjet serioze të ngritura nga avokatja e Arlinda Sylaj Zekajt në një ankesë disiplinore drejtuar Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë. Dokumenti, të cilin e ka parë gazeta Insajderi, paraqet një tjetër kapitull të përpjekjeve për mbrojtjen e viktimës dhe të fëmijës së saj.
Vrasja e Arlinda Sylaj Zekajt në Vitomiricë të Pejës po vazhdon të nxjerrë në pah dokumente që ngrenë pyetje serioze për mënyrën se si institucionet i kishin trajtuar denoncimet dhe kërkesat e saj për mbrojtje.
Insajderi ka parë një ankesë disiplinore prej 14 faqesh, të përgatitur nga avokatja Adelina R. Hoxha në cilësinë e përfaqësueses së autorizuar të Arlindës.
Ankesa i është drejtuar Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë dhe ka të bëjë me veprimet e një prokuroreje të shtetit gjatë trajtimit të një rasti që përfshinte fëmijën e mitur të viktimës.
Në dokument kërkohet nisja e një hetimi disiplinor për dyshime lidhur me shkeljen e detyrave zyrtare, pakujdesinë e rëndë profesionale, mosushtrimin efektiv të funksionit prokurorial dhe mosgarantimin e interesit më të mirë të fëmijës.
Fëmija u mor në pyetje, avokatja pretendon se nuk u respektuan garancitë e nevojshme
Në ankesë përshkruhet një incident i 10 korrikut 2026, kur Policia dhe Prokuroria ishin njoftuar për rrethana që lidheshin me largimin e fëmijës nga përkujdesja e nënës dhe qëndrimin e tij te persona të tjerë.
Sipas pretendimeve të paraqitura në dokument, i mituri ishte gjetur në praninë e personave të tretë, ndërsa nëna kishte shprehur shqetësime për ndikimin që këta persona mund të ushtronin mbi të.
Avokatja pretendon se fëmija ishte marrë në pyetje pa asistencën efektive të një psikologu, pedagogu apo eksperti të specializuar për komunikimin me të miturit.
Një nga pretendimet më serioze është se nuk ishte siguruar paraprakisht një ambient i përshtatshëm dhe i sigurt për intervistimin e fëmijës, ndonëse ekzistonin shqetësime për ndikim, sugjestionim dhe manipulim të mundshëm të deklarimeve të tij.
Në ankesë ngrihet gjithashtu shqetësimi se nëna i kishte paralajmëruar organet për rrezikun që fëmija të ndikohej nga personat në praninë e të cilëve ndodhej.
Përfaqësuesja ligjore pretendon se, pavarësisht këtyre informacioneve, nuk ishin ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të garantuar që deklarimi i të miturit të ishte i lirë dhe të merrej në mënyrë profesionale.
Kamerat e sigurisë dhe provat që rrezikonin të humbnin
Një pjesë e konsiderueshme e ankesës i kushtohet mosgrumbullimit të pretenduar të provave nga vendi i ngjarjes.
Sipas avokates, pamjet e kamerave të sigurisë mund të kishin ndihmuar në identifikimin e personave të pranishëm, përcaktimin e kontakteve që fëmija kishte pasur dhe verifikimin e rrethanave në të cilat ai ishte larguar nga përkujdesja e nënës.
Ankesa ngre dyshime se provat elektronike nuk ishin siguruar me kohë, ndonëse ekzistonte rreziku që incizimet të fshiheshin automatikisht ose të humbnin me kalimin e kohës.
Përfaqësuesja ligjore kërkonte të verifikohej nëse pamjet ishin ruajtur, nëse ishte urdhëruar sekuestrimi i tyre dhe përse nuk ishin ndërmarrë menjëherë veprimet përkatëse.
Ajo kërkonte gjithashtu të sqarohej nëse vendi i ngjarjes ishte dokumentuar plotësisht dhe nëse ishin identifikuar personat që kishin pasur kontakt me fëmijën.
Dyshime për ndërhyrje në hetim dhe korrigjim të mëvonshëm të udhëzimeve
Një tjetër pretendim i rëndë i paraqitur në dokument lidhet me mënyrën se si Prokuroria dyshohet se kishte ndërhyrë në drejtimin e hetimeve.
Në ankesë thuhet se prokurorja, pasi ishte njoftuar për situatën, kishte deleguar veprimet te hetuesit policorë, pa përcaktuar, sipas pretendimit të avokates, udhëzime të mjaftueshme për mbrojtjen e fëmijës dhe sigurimin e provave.
Dokumenti kërkon shqyrtimin e komunikimeve ndërmjet prokurores dhe hetuesve, përfshirë telefonatat, mesazhet, komunikimet elektronike dhe shënimet zyrtare.
Veçanërisht serioz është pretendimi se, pas ngritjes së shqetësimeve nga mbrojtja, kishte pasur përpjekje për korrigjimin ose rehabilitimin formal të udhëzimeve të mëparshme, pa dokumentim të qartë të ndryshimeve.
Avokatja kërkon të verifikohet nëse komunikimet e mëvonshme përbënin veprime të zakonshme procedurale apo përpjekje për të korrigjuar mangësi të mëparshme.
Çfarë kërkonte avokatja nga Kryeprokurorja?
Në pjesën përfundimtare të dokumentit, përfaqësuesja ligjore kërkonte regjistrimin e ankesës dhe shqyrtimin e përgjegjësisë disiplinore.
Ajo kërkonte sigurimin urgjent të provave elektronike, verifikimin e udhëzimeve të dhëna Policisë dhe sqarimin e bazës juridike mbi të cilën fëmija kishte mbetur nën përkujdesjen e personave të tretë.
Gjithashtu, kërkohej të verifikohej nëse i mituri ishte intervistuar nga profesionistë të specializuar dhe nëse ishin respektuar standardet ligjore për mbrojtjen e tij.
Në ankesë kërkohej edhe ruajtja e komunikimeve telefonike dhe elektronike, incizimeve nga kamerat e sigurisë, shënimeve operative dhe dokumenteve të tjera që mund të ndihmonin në zbardhjen e mënyrës se si ishte trajtuar rasti.
Avokatja shprehte gatishmërinë për të paraqitur edhe video-incizime të cilat, sipas saj, dëshmonin presion psikik dhe kanosje serioze ndaj fëmijës.
Nga beteja për djalin te vrasja që tronditi Pejën
Më 16 tetor 2026, Gjykata Themelore në Pejë kishte nxjerrë një urdhër mbrojtës ndaj ish-bashkëshortit të Arlindës. Ndër të tjera, me këtë urdhër ishte vendosur që fëmija t’i besohej përkohësisht nënës dhe që asaj t’i lejohej kthimi në shtëpinë e përbashkët.
Më 22 tetor, një procesverbal tjetër policor dokumentonte vështirësitë për kthimin e saj në shtëpi, si dhe konstatimin se qëndrimi aty nuk ishte i sigurt për shkak të situatës së krijuar.
Po atë ditë, Arlinda kishte dorëzuar një letër urgjente në Prokurorinë Themelore në Pejë, duke kërkuar masa ndaj zyrtarëve që, sipas saj, kishin dështuar në përmbushjen e detyrave të tyre.
Vetëm tri ditë më vonë, më 25 tetor, ajo u gjet e vrarë në dhomën e gjumit të shtëpisë së saj në Vitomiricë.
Për vrasjen dyshohet kunati i saj, Albert Sylaj, ndërsa ish-bashkëshorti i saj, Jeton Sylaj, është raportuar se është ndaluar për 48 orë pas intervistimit.
Pyetjet që kërkojnë përgjigje janë nëse pretendimet e avokates janë shqyrtuar, nëse janë marrë masa për ruajtjen e provave dhe nëse institucionet kanë reaguar në përputhje me detyrimet e tyre ligjore.
Dokumenti i plotë:
Znj. Lumturije Vuçetaj
Avokate Adelina R. Hoxha, e autorizuara e palës së dëmtuar Arlinda Sylaj Zekaj paraqet këtë:
ANKESË DISIPLINORE
Kundër: Prokurores së Shtetit znj. Suada Hamza,
Për shkak të dyshimit të bazuar për shkelje të detyrave zyrtare,
Pakujdesi të rëndë profesionale,
Mosushtrim efektiv të funksionit prokurorial,
Mosmarrje të masave urgjente për mbrojtjen e fëmijës,
Aprovimin e marrjes në pyetje të fëmijës pa garancitë e nevojshme profesionale dhe ligjore, respektivisht pa prani të psikologut
Lejimi i qëndrimit të fëmiut tek personi i tretë, në plotësim të dëshirës së fëmijës! Dëshirë e cila nuk është konfirmuar nëse është manipulim.
Lejimi i qëndrimit të fëmijës tek personi i tretë në kundërshtim me ligjin, personi i tretë i dyshuar në po të njejten prokurori.
Mos evidentimi i gjetjes së fëmijës pa kujdestar madhorë
Mosadministrim në kohë të provave dhe
Tentim për korrigjim të mëvonshëm të veprimeve pa eliminimin e pasojave të shkaktuara, por vetëm në drejtim të arsyetimit të mosveprimeve të saj ligjore
# Përshkrim i shkurtër i cështjes kontesuese
E dëmtuara me fëmijën 12 vjecar jetojnë që dy vite në Kosovë, pasi janë larguar nga shtëpia e përbashkët me të pandehurin, nën kërcënimin për jetë nga i pandehuri. Për dy vite fëmiu ka jetuar, shkolluar nën kujdestarin e të dëmtuarës pa asnjë ndihmë nga i pandehuri. Nën kërcënimin e të pandehurit e dëmtuara e ka lejuar ta vizitoj familjen e bashkëshortit herë pas herë, por nga data 26 qershor 2026 kur axha e merr të miturin pa dijenin e nënës, fëmia shkëput kontakte më nënën pa arsyetim. E dëmtuara nën frikën e vazhdueshme për jetën e saj dhe fëmijës, provon të gjejë mirkuptim për kthimin e fëmijës, por nuk e gjen. Me datë 10 korrik shkon te familja e të pandehurit në Decan ku pritej të gjendej fëmiu, del se aty nuk është fëmiu përveq gjyshërit që i thonë se nuk e din ku është, ndoshta në Vitomiric, në shtëpinë e përbashkët të të pandehurit dhe të dëmtuarës – prej nga i pandehuri nën kanosje i kishte larguar para dy viteve fëmijën dhe të dëmtuarën.
E dëmtuara iu thotë familjarëve të të pandehurit se po shkon me marr djalin, dhe kur shkon gjendet para një situate të vështirë ku fëmia e refuzon pa ndonjë arsye konkrete dhe fëmia gjendet me dy fëmijë tjerë të mitur 16 dhe 7 vjec, pa përkujdesje të të rriturve. E dëmtuara njofton policin se fëmia është i manipuluar por hetimet nuk shkojnë në drejtim të mbledhjes së provave por në drejtim të dëmtimit të tyre cfarë kane vënë në rrezik fëmijën dhe gjithë procesin.
Fëmia me dijenin e prokurores, mirret në pyetje pa psikolog dhe me dijenin e së njejtës i mbetet nën kujdestari kundërligjshëm (kunderligjshmerine e kemi potencuar ne shkresen paraprake) axhës së tij, I cili përveq tjerash është me precedent penal për armëbajtje po në të njejten prokurori.
I. Baza juridike e ankesës
Kjo ankesë paraqitet në mbështetje të:
Ligjit nr. 06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 08/L-003 dhe i publikuar në version të konsoliduar;
Kodit nr. 08/L-032 të Procedurës Penale, i ndryshuar dhe plotësuar;
Kodit nr. 06/L-006 të Drejtësisë për të Mitur;
Ligjit nr. 06/L-084 për Mbrojtjen e Fëmijës;
Ligjit nr. 2004/32 për Familjen i Kosovës, me ndryshimet dhe plotësimet përkatëse;
Kodit të Etikës dhe Sjelljes Profesionale për Prokurorët;
Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës;
Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe standardeve të drejtësisë miqësore ndaj fëmijës.
Ligji për Përgjegjësinë Disiplinore përcakton se autoriteti kompetent për trajtimin fillestar të pretendimeve disiplinore ndaj një prokurori është kryeprokurori i prokurorisë në të cilën prokurori është i punësuar. Andaj kjo ankesë ju paraqitet juve, Ligji njeh Këshillin Prokurorial të Kosovës si organin që zhvillon procedurën disiplinore sipas kompetencave të tij, me çfarë presim që të njejtën ta delegoni tutje.
II. Përshkrimi i gjendjes faktike
Më datë 10 korrik 2026, prokurorja e lartcekur është njoftuar nga policia për një situatë serioze, në të cilën ishte i përfshirë një fëmijë i mitur.
Sipas informatave dhe dokumentacionit të disponueshëm:
Fëmija është gjetur në shoqëri të personave të tjerë të mitur, pa praninë dhe mbikëqyrjen e një prindi, kujdestari apo personi tjetër madhor përgjegjës.
Ekziston dyshimi se fëmija, para veprimeve procedurale, është manipuluar, ndikuar apo udhëzuar nga persona të tjerë lidhur me mënyrën e paraqitjes së rrethanave të ngjarjes. Për çfarë e dëmtuara ka njoftuar policin dhe hetuesin me kohë.
Fëmija është marrë në pyetje pa praninë dhe asistencën efektive të psikologut, pedagogut, ekspertit profesional për komunikim me fëmijët.
Nuk është garantuar paraprakisht se fëmija ishte në gjendje të sigurt emocionale dhe psikologjike për t’u intervistuar, as nuk është parandaluar rreziku i manipulimit, sugjestionimit, riviktimizimit apo kontaminimit të deklarimit të tij.
Prokurorja nuk ka urdhëruar menjëherë sigurimin, sekuestrimin dhe administrimin e incizimeve të kamerave të sigurisë nga vendi i ngjarjes dhe nga lokacionet relevante.
Nuk është urdhëruar në mënyrë të plotë dhe urgjente këqyrja e vendit të ngjarjes, dokumentimi i situatës, sigurimi i provave materiale, identifikimi i personave të pranishëm dhe administrimi i provave që për shkak të kalimit të kohës mund të fshiheshin, ndryshoheshin ose humbnin.
➤ Në vend që të ushtronte drejtpërdrejt kompetencat e saj ligjore për drejtimin dhe mbikëqyrjen e hetimit, prokurorja e ka deleguar vlerësimin dhe marrjen e vendimeve esenciale në nivel më të ulët, përkatësisht tek hetuesi apo zyrtarë të tjerë policorë.
➤ Prokurorja ka dhënë udhëzime të gabuara, juridikisht të papërshtatshme ose të pamjaftueshme, të cilat kanë ndikuar në mënyrën e trajtimit të fëmijës dhe në vendosjen e tij të mëtejshme.
➤ Menjëherë pas njoftimit nga mbrojtja , në zyren e së njejtës – se udhëzimet e dhëna ishin të gabuara dhe se kishin prodhuar pasoja, prokurorja ka kontaktuar hetuesin dhe ka ndërmarrë veprime të mëvonshme për ta ndryshuar ose korrigjuar situatën, jo në drejtim të korrigjimit të pasojës por fshehjes së veprimeve dhe mosveprimeve të saj.
Në vend që prioriteti i veprimeve të ishte mbrojtja e menjëhershme e fëmijës dhe eliminimi i pasojave, ndërhyrja e mëvonshme e prokurores kishte për qëllim rehabilitimin formal të udhëzimeve dhe pozitës së prokurores.
III. Shkeljet disiplinore sipas nenit 6 të Ligjit nr. 06/L-057
1. Shkelja e ligjit dhe e detyrave zyrtare . Sipas nenit 6 paragrafit 1, nënparagrafëve 1.2 dhe 1.3 të Ligjit nr. 06/L-057, prokurori kryen shkelje disiplinore nëse:
shkel ligjin ose shkel detyrat e tij zyrtare si prokuror.
Sipas nenit 6 paragrafit 2, përgjegjësia disiplinore përfshin veprimet ose mosveprimet e kryera me dashje apo nga pakujdesia e rëndë.
Në rastin konkret, prokurorja ka shkelur njëkohësisht detyrimin për zbatimin e ligjit dhe detyrimin për ushtrimin profesional të funksionit, sepse:
ka dhënë udhëzime të gabuara;
nuk ka ndërmarrë masat urgjente për mbrojtjen e fëmijës;
nuk ka siguruar garancitë profesionale gjatë intervistimit;
nuk ka administruar në kohë provat e cenueshme, kamerat e vendit tw ngjarjes, personat prezent;
nuk ka ushtruar mbikëqyrje efektive mbi hetimin;
nuk ka eliminuar pasojat e shkaktuara.
2. Mosndërmarrja e veprimit prokurorial të kërkuar me ligj
Sipas nenit 6 paragrafit 2, nënparagrafif 2.1, shkelje e detyrave të prokurorit ekziston kur prokurori, në mënyrë të vazhdueshme, nuk ndërmerr veprim prokurorial që kërkohet nga ligji ose nuk ushtron funksionin brenda afatit ligjor.
E njëjta dispozitë lejon inicimin e procedurës disiplinore edhe për një shkelje të vetme, kur serioziteti i mosveprimit ose niveli i shkeljes e arsyeton këtë.
Në këtë çështje, edhe nëse veprimet e prokurores trajtohen si një ngjarje e vetme, serioziteti i tyre është i shtuar sepse:
subjekti i cenuar është fëmijë;
ekzistonte nevoja për veprim urgjent;
provat elektronike , audio video incizimet ne vend te ngjarjes mund të humbnin;
deklarimi i fëmijës vazhdon të ndikohet;
pasojat nuk janë eliminuar.
Neni 6 paragrafi 2.1 e lejon shprehimisht procedurën disiplinore për një mosveprim të vetëm kur serioziteti i tij është i mjaftueshëm.
3. Mosvlerësimi i plotë i fakteve dhe provave
Sipas nenit 6 paragrafit 2, nënparagrafit 2.2, prokurori kryen shkelje të detyrës kur nuk merr parasysh provat dhe faktet fajësuese dhe shfajësuese gjatë hetimit dhe nuk siguron zhvillimin ligjor të hetimit.
Moskërkimi i incizimeve të kamerave, mosdokumentimi i vendit të ngjarjes, mos raprotimi-konstatimi i personave tw gjendur nw vendgjarje dhe mosadministrimi i provave të tjera relevante e kanë privuar hetimin nga burime objektive të provës.
Kamerat e sigurisë ishin veçanërisht të rëndësishme për:
përcaktimin e kohës dhe mënyrës së ardhjes së fëmijës;
identifikimin e personave që e shoqëronin;
përcaktimin e kontakteve të fëmijës para intervistimit;
vërtetimin nëse kishte manipulim ose koordinim të deklarimeve;
krahasimin e deklarimit verbal me rrethanat objektive të ngjarjes.
Mosadministrimi i këtyre provave duhet të vlerësohet në kuadër të nenit 6 paragrafit 2.2 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore.
IV. Shkeljet e Kodit të Procedurës Penale
1. Mosushtrimi i drejtimit dhe mbikëqyrjes së hetimit
Sipas nenit 70 paragrafit 3 të Kodit nr. 08/L-032 të Procedurës Penale, pas autorizimit të masave përkatëse ose fillimit të procedurës penale, prokurori i shtetit:
drejton dhe mbikëqyr punën e policisë ose organit tjetër që zbaton hetimin penal.
Sipas paragrafit 4 të të njëjtit nen, prokurori ka qasje në të gjitha informatat relevante që policia posedon gjatë veprimeve fillestare.
Kjo do të thotë se prokurorja nuk mund ta transferojë përgjegjësinë e saj juridike tek hetuesi apo dikush tjetër.
Policia mund të ndërmarrë veprime operative, por drejtimi juridik i hetimit; përcaktimi i masave prioritare; urdhërimi i sigurimit të provave; vlerësimi i pozitës së fëmijës; përcaktimi i garancive procedurale, mbeten përgjegjësi e prokurorit.
Delegimi i çështjes “në nivel më të ulët” nuk e liron prokuroren nga përgjegjësia për rezultatet e veprimeve ose mosveprimeve të policisë, sepse Kodi ia ngarkon asaj drejtimin dhe mbikëqyrjen e hetimit.
2. Mosurdhërimi i këqyrjes dhe dokumentimit të vendit të ngjarjes
Sipas nenit 148 paragrafëve 1 dhe 2 të Kodit të Procedurës Penale, prokurori mund të urdhërojë këqyrjen ose rikonstruksionin e vendit të ngjarjes për: shqyrtimin e provave; qartësimin e fakteve të rëndësishme; njohjen me gjendjen faktike; e në veçanti vlerësimin e besueshmërisë së deklarimeve.
Këqyrja mund të kryhet nga prokurori ose policia, por duhet të jetë rezultat i një vendimmarrjeje efektive hetimore dhe të dokumentohet sipas ligjit.
Në rastin konkret, mungesa e udhëzimit të menjëhershëm për:
Shiqim të vendit; fotografim; sigurim të gjurmëve; nxerrja e kamerave video incizimeve të vendit të ngjarjes, identifikim të dëshmitarëve; ruajtje të provave elektronike, kanë shkaktuar humbjen e provave relevante dhe ka cenuar efektivitetin e hetimit duke cenuar rëndë jetën e fëmiut
3. Mosadministrimi urgjent i incizimeve të kamerave
Edhe pse sigurimi i një prove të caktuar varet nga rrethanat e rastit, prokurori është i detyruar të vlerësojë me urgjencë provat që:
mund të fshihen automatikisht; mund të ndryshohen;
mund të kopjohen në mënyrë jo të plotë; mund të bëhen të paarritshme me kalimin e kohës. Incizimet e kamerave përbëjnë prova tipike të cenueshme nga kalimi i kohës.
Mosdhënia e udhëzimit për ruajtjen dhe marrjen e tyre, pavarësisht rëndësisë së dukshme, përbën tregues të pakujdesisë së rëndë profesionale dhe të mosushtrimit të mbikëqyrjes efektive të hetimit.
V. Shkeljet e Kodit nr. 06/L-006 të Drejtësisë për të Mitur
Dispozitat e mëposhtme zbatohen veçanërisht nëse fëmija ka pozitën e viktimës, të dëmtuarit ose dëshmitarit. Edhe nëse statusi procedural në fillim nuk ishte përcaktuar përfundimisht, organet duhej të zbatonin standardin më të lartë të mbrojtjes derisa të sqarohej pozita e fëmijës.
1. Neni 110 – Interesi më i mirë i fëmijës
Sipas nenit 110, çdo fëmijë viktimë ose dëshmitar ka të drejtë që interesi i tij më i mirë të jetë konsiderata mbizotëruese.
Ky parim nuk është deklarativ, dhe nuk përcaktohet nga dëshira e fëmijës.
Ai e detyron prokurorin që ndërmjet: sigurisë procedurale; mbrojtjes së veprimeve të mëparshme; delegimit tek policia; dhe mbrojtjes urgjente të fëmijës, t’i japë përparësi absolute sigurisë dhe mirëqenies së fëmijës.
2. Neni 111 – trajtimi miqësor dhe i ndjeshëm
Sipas nenit 111 paragrafëve 2 dhe 3, fëmija viktimë ose dëshmitar duhet të trajtohet në mënyrë: miqësore; të ndjeshme; me respektim të dinjitetit; duke marrë parasysh moshën dhe pjekurinë; duke kufizuar ndërhyrjen në jetën private në minimum dhe duke synuar një rezultat objektiv dhe të paanshëm.
Marrja në pyetje pa përgatitje profesionale, pa psikolog dhe përkthyes, dhe pasi organet janë njoftuar menjëherë nga nëna se fëmia është i ekspozuar ndaj ndikimit të personave të tjerë, cenon si mirëqenien e tij, ashtu edhe objektivitetin e deklarimit.
3. Neni 112 – kujdesi i posaçëm dhe ndihma profesionale
Sipas nenit 112 paragrafit 1, institucionet që veprojnë në një procedurë për vepër penale ndaj fëmijës duhet të veprojnë me kujdes të posaçëm, duke marrë parasysh:
moshën; karakteristikat personale; nevojat e veçanta; edukimin; ambientin ku jeton fëmija; nevojën për shmangien e pasojave të dëmshme.
Sipas paragrafëve 2 e vijues të nenit 112, marrja në pyetje duhet të organizohet në mënyrë që fëmija të mos ekspozohet ndaj presionit të panevojshëm dhe, sipas nevojës, të realizohet me ndihmën e pedagogut, psikologut..
Në rastin konkret, marrja në pyetje pa psikolog, veçanërisht kur ekzistonte dyshimi për manipulim-fakt i bërë i njohur nga nëna e fëmijës para intervistimit të tij ditën kritike, paraqet jo vetëm cenim të mbrojtjes së fëmijës, por edhe cenim të besueshmërisë së provës së marrë.
VI. Shkeljet e Ligjit nr. 06/L-084 për Mbrojtjen e Fëmijës
1. Neni 4 – mbrojtja e jetës, zhvillimit dhe mirëqenies
Sipas nenit 4, mbrojtja e jetës së fëmijës është detyrim kryesor për çdo person dhe institucion. E drejta e fëmijës për zhvillim: fizik; mendor; emocional; shëndetësor; social, duhet të mbrohet në masën maksimale të mundshme.
Lënia e fëmijës pa kujdestar madhor, ekspozimi ndaj manipulimit, marrja në pyetje pa përkrahje profesionale dhe zgjedhja e gabuar e vendosjes së tij tek personi i tretë, janë në kundërshtim me këtë detyrim.
2. Neni 5 – interesi më i mirë i fëmijës
Sipas nenit 5 paragrafit 1, në të gjitha veprimet dhe vendimet e institucioneve, gjykatave dhe autoriteteve administrative që kanë të bëjnë me fëmijën, interesi më i mirë i fëmijës duhet të jetë konsiderata: mbizotëruese; më e larta.
Vendimi ose udhëzimi që ka rezultuar në qëndrimin e fëmijës me person të tretë, pa vlerësim profesional dhe pa vendim të organit kompetent, duhet të shqyrtohet drejtpërdrejt në raport me nenin 5.
4. Neni 147 – masat urgjente
Sipas nenit 147 paragrafit 1, kur Organi i Kujdestarisë mëson për rrezikun ndaj fëmijës, për shkak të abuzimit të së drejtës prindërore ose neglizhencës serioze, është i detyruar të ndërmarrë urgjentisht masa për mbrojtjen: e personalitetit; të drejtave; interesave të fëmijës.
Prokurorja, sapo është njoftuar për situatën, duhej të siguronte përfshirjen urgjente të psikologut dhe Organit të Kujdestarisë, duke u kujdesur nëse po respektohet ligji, ngase mungesa e madhorit është abuzim serioz dhe neglizhencë serioze, në vend që vendosja faktike e fëmijës të mbetej çështje e vlerësimit të vetë fëmijës!!!
VIII. Shkeljet e Kodit të Etikës dhe Sjelljes Profesionale
Veprimet dhe mosveprimet e përshkruara duhen shqyrtuar edhe në raport me parimet etike të funksionit prokurorial, përfshirë:
➤ ligjshmërinë;
➤ integritetin;
➤ paanshmërinë;
➤ objektivitetin;
➤ profesionalizmin;
➤ kompetencën dhe kujdesin;
➤ përgjegjshmërinë;
➤ transparencën institucionale;
➤ ruajtjen e besimit të publikut në sistemin prokurorial;
➤ detyrimin që interesi personal i prokurorit të mos vendoset mbi interesin e drejtësisë.
Veçanërisht shqetësues është fakti se, pasi është njoftuar për gabimet, prokurorja nuk ka dokumentuar në mënyrë transparente: gabimin fillestar, korrigjimin e udhëzimit; arsyet e ndryshimit; masat për eliminimin e pasojës; bazën juridike të vendosjes së fëmijës.
Tentimi për “rehabilitimin” e situatës përmes kontaktit me hetuesin, pa nxjerrjen e një udhëzimi të qartë, të dokumentuar dhe pa rikthimin e ligjshmërisë, cenon standardet e integritetit dhe përgjegjshmërisë.
IX. Lidhja shkakësore dhe pasoja
Në këtë rast nuk kemi vetëm gabim abstrakt juridik.
Udhëzimet dhe mosveprimet kanë prodhuar pasoja konkrete:
Fëmija është marrë në pyetje pa garancitë profesionale të nevojshme.
Deklarimi i tij mund të jetë ndikuar ose kontaminuar, siq nëna-e dëmtuara ka njoftuar paraprakisht personat zyrtar.
Provat objektive, përfshirë incizimet e kamerave, mund të jenë humbur.
Nuk është siguruar dokumentimi i plotë i vendit dhe rrethanave të ngjarjes.
Nuk është vërtetuar se personi i tretë ishte i autorizuar, i përshtatshëm dhe i vlerësuar nga Organi i Kujdestarisë.
Mbrojtja është detyruar të ndërhyjë për t’ia bërë me dije prokurores gabimet e saj.
Veprimet korrigjuese janë ndërmarrë vetëm pas reagimit të mbrojtjes.
Edhe pas ndërhyrjes, pasoja kryesore nuk është eliminuar.
Këto rrethana përmbushin pragun për inicimin e një hetimi disiplinor, sepse ekziston dyshim i arsyeshëm për shkelje të ligjit, shkelje të detyrës dhe pakujdesi të rëndë.
X. Nevoja për ruajtjen urgjente të provave
Duke qenë se provat elektronike dhe të dhënat e komunikimit mund të humbin ose të fshihen, kërkoj që menjëherë të lëshohet urdhër për ruajtjen e:
komunikimeve telefonike zyrtare ndërmjet prokurores dhe hetuesit më 10 korrik dhe ditët pasuese;
listës së thirrjeve zyrtare dhe evidencës së komunikimeve institucionale;
mesazheve elektronike, SMS-ve, komunikimeve në aplikacione zyrtare dhe e-mail-eve;
shënimeve zyrtare dhe ditarit të prokurores;
ditarit operativ të policisë;
incizimeve nga sistemi i komunikimit policor;
incizimeve të kamerave të sigurisë nga objekti ku është gjetur fëmija;
incizimeve nga lokacionet përreth;
videove nga kamerat trupore të zyrtarëve policorë, nëse janë përdorur;
incizimeve të intervistimit të fëmijës;
çdo incizimi tjetër që mund të vërtetojë personat e pranishëm dhe mënyrën e trajtimit të fëmijës.
XIII. Kërkesat
Në bazë të sparaqiturave si më sipër, kërkoj:
Të regjistrohet kjo ankesë si ankesë disiplinore kundër prokurores Suada Hamza
Të vlerësohet nëse veprimet dhe mosveprimet përbëjnë shkelje sipas nenit 6 paragrafit 1, nënparagrafëve 1.2 dhe 1.3 dhe paragrafit 2 të Ligjit nr. 06/L-057.
Të iniciohet hetim disiplinor për shkak të dyshimit për pakujdesi të rëndë profesionale dhe mosushtrim të detyrave zyrtare.
Të sigurohen urgjentisht të gjitha komunikimet dhe provat elektronike, para se të fshihen ose humbin.
Të verifikohet përmbajtja e saktë e udhëzimeve të dhëna nga prokurorja më 10 korrik.
Të verifikohet baza juridike mbi të cilën fëmija ka mbetur me person të tretë.
Të verifikohet nëse personi i tretë ishte i autorizuar dhe i vlerësuar profesionalisht.
Të verifikohet pse fëmija është intervistuar pa psikolog, pedagog.
Të vlerësohet ligjshmëria dhe vlera provuese e deklarimit fëmijës të marrë në këto rrethana.
Të verifikohet pse nuk janë siguruar menjëherë kamerat dhe provat nga vendi i ngjarjes.
Të verifikohet mosmarrja e kamerave cfarë ka shkaktuar, në process dhe humbjen e provave.
Të verifikohet nëse prokurorja ka deleguar në mënyrë të palejuar – paanalizuar vendimmarrjen juridike tek hetuesi.
Të vlerësohet nëse komunikimi i mëvonshëm me hetuesin ka qenë korrigjim i ligjshëm procedural apo përpjekje për rehabilitim formal të udhëzimit të gabuar.
Të shqyrtohet nëse ka pasur ndryshim, plotësim, prapadatim ose harmonizim të mëvonshëm të shënimeve zyrtare.
XV. Përfundim
Prokurori i shtetit nuk ka vetëm detyrimin për të reaguar ndaj një dyshimi penal. Ai ka detyrimin që:
ta drejtojë hetimin; t’i ruajë provat; t’i verifikojë faktet objektivisht, t’i zbatojë garancitë procedurale; ta mbrojë fëmijën nga dëmtimi dhe riviktimizimi; t’i korrigjojë menjëherë gabimet; t’i eliminojë pasojat e veprimeve të kundërligjshme.
Në rastin konkret, gabimi nuk ka mbetur pa pasoja. Fëmija është intervistuar pa garancitë e domosdoshme, provat nuk janë siguruar në kohë dhe fëmija ka mbetur me person të tretë me apo udhëzim të prokurorit, me rëndësi me dijenin e prokurores. Qëndrimi i fëmijës me personin e tretë, duke mos harru se fëmia është gjetur pa madhor, është i kundërligjshëm.
Për këto arsye, ekziston bazë e mjaftueshme për fillimin e një hetimi të plotë disiplinor, dhe denimin e së njejtës për shkelje të rëndë disiplinore.
| E RËNDËSISHME | | :— | | Nëse kryeprokurorja, gjenë se hetimi është deleguar me kohë tek prokurorë tjerë, Ju kërkojmë që për të njejtat shkelje ex-officio të delegoni Ankesën për Prokurorin Kompetent. | | Përndryshe nëse vlerësoni se persona tjerë zyrtar, kanë ndikuar në ndonjë mënyrë në ndryshimin e procesit, jeni të obliguar të filloni process hetimor për keqpërdorim të detyrës zyrtare për shkakë të mos veprimeve ligjore me pasojë si në ankesë, dhe për të njejtën të na njoftoni me kohë, ashtu që mbrenda afateve ligjore të mund të realizojmë të drejtat ligjore. |
P.S. sipas kërkesës suaj jemi të gatshëm të ju paraqesim video inqizimet nga dita kritike ku nëna potencon ndikimin e fëmijës, të pa konstatuar proceduralisht, dhe videot tjera që tregojnë presionit psiqik me kanosjen serioze për jetë, që i pandehuri në vazhdismi i ka bërë të dëmtuarës përfshirë edhe në prezencën e fëmijës.
Të hapur për cdo dokumentim dëshmi që ju duhet.
Parashtruesi/ja i/e ankesës
Avokate Adelina R. Hoxha










