Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila dyshohet se u vra nga kunati i saj.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka cilësuar rastin si të rëndë dhe të dhimbshëm, duke theksuar se është e papranueshme që një grua, e cila kishte frikë për jetën e saj dhe kishte kërkuar ndihmë, të mbetej pa mbrojtje.
“Arlinda kërkoi të jetonte. Kërkoi mbrojtje nga shteti. Tri ditë para se të vritej, e paralajmëroi Prokurorinë për rrezikun ndaj jetës së saj. Sot, letra e saj është këtu. Arlinda nuk është më. Ajo u vra mbrëmë. Është e padurueshme të lexosh fjalët e një gruaje që kërkon ndihmë, teksa ndjenë pafuqinë e zanit të saj. Ato fjalë godasin secilin prej nesh, si prind, si vëlla, si fëmijë, si bashkëqytetar. Një grua kishte frikë për jetë dhe u la vet!”, shkroi ai.
Abdixhiku ka bërë të ditur se LDK-ja kërkon hetim të plotë dhe të pavarur për çdo veprim dhe mosveprim të institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e Arlindës.
“Për këtë rast LDK kërkon hetim të plotë dhe të pavarur të çdo veprimi e mosveprimi në mbrojtje të saj. Secili zyrtar e institucion që e ka trajtuar kërkesën e Arlindës duhet të japë llogari për veprimet që ka ndërmarrë dhe detyrimet që ka lënë pa përmbushur. Përgjegjësia duhet të ketë emër e mbiemër.Ngushëllimet më të sinqerta familjes së Arlindës. Asaj i detyroheshim mbrojtje sa ishte gjallë. Për të gjallë, mbrojtje nuk pati! Tani i detyrohemi drejtësi; me gjithë zhvlerësimin paralajmërues që në letër na e dha. Dhe çdo gruaje tjetër që sot jeton me frikë, i detyrohemi veprim. Sot, para se një tjetër kërkesë për ndihmë të na mbetet në duar si dëshmi e një jete që nuk e mbrojtëm”, shkroi Abdixhiku.










