Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Arian Gashi, dhe anëtari i KPK-së, Visar Krasniqi, së bashku me prokurorin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Bahri Hyseni, kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit, Agron Bajrami, kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, dhe prokurorin e Prokurorisë Speciale, Atdhe Dema, morën pjesë në konferencën dyditore rajonale me temën “Nga teoria në praktikë: Vënia në funksion e reformave në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, e cila u mbajt më 26 dhe 27 tetor në Budvë të Malit të Zi.
Konferenca u organizua nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në kuadër të Projektit Rajonal për Monitorimin e Gjykimeve në Rastet e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Ballkanin Perëndimor, pas publikimit të raportit të dytë rajonal të këtij projekti.
Raporti përfshin gjetjet nga monitorimi i proceseve gjyqësore në rastet e nivelit të lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit, për periudhën qershor 2024 deri në shtator 2026. Ai vlerëson zbatimin e rekomandimeve të mëparshme dhe evidenton sfidat që ndikojnë në efikasitetin e procedurave penale.
Gjatë konferencës, diskutimet u përqendruan në zbatimin praktik të reformave, forcimin e llogaridhënies institucionale dhe përmirësimin e rezultateve në trajtimin e rasteve komplekse të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Pjesëmarrja e përfaqësuesve të sistemit prokurorial të Kosovës mundësoi shkëmbimin e përvojave dhe praktikave rajonale, me synim avancimin e cilësisë së ndjekjes penale, forcimin e kapaciteteve profesionale dhe rritjen e efikasitetit institucional.
Këshilli Prokurorial i Kosovës falënderon OSBE-në për raportin dhe vlerëson rëndësinë e gjetjeve dhe rekomandimeve të tij për përmirësimin e mëtejshëm të punës së institucioneve të drejtësisë.
Konferenca e cila përfundoi sot, gjatë dy ditëve mblodhi përfaqësues të institucioneve të drejtësisë nga Ballkani Perëndimor për të nxitur bashkëpunimin rajonal, zbatimin e qëndrueshëm të reformave dhe forcimin e sundimit të ligjit.
https://prokuroria-rks.org/artikulli/21339
#SistemiProkurorial #KeshilliProkurorialKosoves










